Dosja ‘Eposi shqiptar’ në pesë shtete fiton çmimin special “Europa Nostra”

Me vendimin nr. 02/103 të datës 14.01.2010 Qeveria e Kosovës miratoi krijimin e komisionit qeveritar për përgatitjen e dosjes së regjistrimit të Eposit Heroik Legjendar në listën e UNESCO-s për trashëgiminë jomateriale të Njerëzimit. Në përbërje të këtij komisioni u caktuan prof. dr. Zymer Neziri (IAP), prof. dr. Shaban Sinani (IGJL) dhe prof. dr. Vasil Tole (ASH). Pas më shumë se gjashtë viteve pune kërkimore, dosja për regjistrimin e Eposit në UNESCO u përfundua dhe u dorëzua.
Në këtë proces komisioni është zgjeruar edhe me bashkëpunëtorë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në shërbim të këtij nominimi janë organizuar disa ekspedita kërkimore në terren dhe dy konferenca shkencore ndërkombëtare.
Në procesin përfundimtar dosja shkencore e nominimit të këngëve heroike legjendare shqiptare u depozitua me titullin Eposi shqiptar në pesë shtete (E5). Për shkak të vështirësive të karakterit diplomatik, procesi i regjistrimit të E5 në listat e trashëgimisë kulturore të Njerëzimit ende nuk është përmbyllur.
Më datën 4 maj, The Voice of Cultural Heritage in Europe, Zyra Europiane e Promovimit të Vlerave Themelore të Trashëgimisë Kulturore, e njohur më shkurt me emrin Creative Europe , vlerësoi me Çmimin Special Europa Nostra dosjen e përgatitur nga specialistët shqiptarë, me titullin analitik Eposi i këngëve heroike-legjendare – përmendore e trashëgimisë kulturore në Ballkan .
Ky çmim është i kategorisë Dosje kërkimore dhe shenjon një hap shumë të rëndësishëm përpara në rrugën drejt regjistrimit përfundimtar të kësaj trashëgimie në listat e UNESCO-s. Çmimi është një vlerësim para së gjithash për trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, e njohur tashmë edhe zyrtarisht si pasuri ballkanike dhe përbërëse e Europa Nostra.
Komisioni qeveritar për përgatitjen e dosjes shkencore është kryesuar gjatë gjithë periudhës 2010-2016 nga prof. dr. Zymer Neziri.
E5 është e para pasuri që fiton çmimin Europa Nostra si propozim i Qeverisë së Kosovës.
Akademia e Shkencave do të organizojë së afërmi një ceremoni përuruese për dosjen shkencore E5 dhe për çmimin e merituar Europa Nostra. Ky çmim është një hap tjetër përpara jo vetëm për certifikimin e vlerave europiane të trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe për ndryshimin pozitiv të statusit të Kosovës në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si UNESCO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *