Nga Auron Tare
Vijon nga dje….
Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit, nuk ka qenë asnjëherë i ndriçuar nga burimet e kohës. Mesa duket, veprimet e saj në dobi të Portës së Lartë, kanë qenë aq sekrete sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhtinë e saj, edhe pse dihej se pas rënies së Aliut ajo kishte në zotërimet e veta disa prona. Prona të cilat citohen në dokumentin britanik.
Robert Walsh shkruan se e kishte parë disa herë të venë e Aliut në ambientet e Patriarkanës së Stambollit, të mbuluar fund e krye. Por arsyeja se përse e veja e Aliut u lejua të rikthehej përsëri në Greqi, nëse ishte marrë me të vërtetë rob në Janinë, nuk është mësuar asnjëherë. Në vitin 1830 qeveria greke i dha në zotërim një sasi toke dhe një kullë bizantine ku ajo qëndroi deri sa vdiq në 1834.
Por dëshmia më interesante e raportit britanik bazuar në informacionin e Ministrit të Jashtëm Otoman (Reis Efendiut), është vrasja e Aliut si dhe emri i personit që e ekzekutoi atë. Në kundërshti nga përshkrimi plot ngjyra i Pukëvilit për një fund plot lavdi, ambasadori britanik e quan vdekjen e Aliut si një vrasje të pastër. I strehuar në një shtëpizë të vogël në Ishullin e Janinës, Veziri priste faljen që do të vinte nga Stambolli. Me shumë pak pasues, nga të cilët disa po komplotonin për fundin e tij, duket se Aliu ishte rrethuar nga tradhtia. I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i gënjyer nga të gjithë personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret në audiencë një shqiptar mjaft të shquar, por shumë pak të njohur nga historia: Muhamed Pashën e Moresë, i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë. Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar mund të mos kenë ngjallur dyshime te ai si një kërcënim i mundshëm. Ishte ky shqiptar i cili sipas dëshmisë së Ministrit të Jashtëm Otoman, ka ngulur në trupin e plakut kamën e Sulltanit, duke i dhënë fund një jete plot trazira dhe lavdi. Kështu Luani i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi i vrarë nga një shqiptar dhe i tradhtuar nga gruaja e tij. Por më poshtë është mjaft interesante të njihemi me fatin e personazheve që në mënyrë direkte apo indirekte, patën të bëjnë me ngjarjen finale të jetës së Ali Tepelenës.
Kush ishte Mohamed Dramaliu
Mohamed Pasha, Guvernator i Moresë i njohur si Dramaliu (dmth. nga rajoni Drama në Greqinë Veriore). Personalitet i rëndësishëm otoman me origjinë shqiptare. Mbante titullin e Bejzadesë (Princ pa të drejtë trashëgimie të Fronit). Nëna e tij ishte mbesa e Sulltan Ahmedit të III. Gjyshi i tij ishte Husen Agai, Komandant i Përgjithshëm i Jeniçerëve me titull Çorbaxhi. I ati Halil Mehmet bej, ishte Truproja e Sulltan Selimit III dhe Komandant i regjimentit të shqiptarëve në Egjypt që mundi trupat e Napoleonit.
Gjyshi i Mohamed Pasha Dramaliut, ishte xhaxhai i Muhamed Ali Pashës (Mehmet Aliut), themeluesit të Dinastisë Shqiptare të Egjyptit.
Nga Raporti i Ambasadorit Britanik Lordit Strangford për Sekretarin e Shtetit theksohet qartë se ishte Mohamed Pasha Dramaliu, personi që e vrau në pabesi Ali Pasha Tepelenën. Kryekomandant i trupave osmane kundër kryengritësve grekë në 1822, pëson një humbje të madhe në fushat e Argostolit duke vdekur në verën e këtij viti nga malarja.
Halet Efendiu
Një prej figurave të rëndësishme politike në Oborrin e Sulltan Selimit III dhe Mahmudit II. Ambasador në Paris nga 1803-1806, më vonë një nga anëtarët e Kabinetit të Sulltan Mahmudit si dhe sekretari i tij personal. Halet Efendiu kishte një ndikim të madh mbi Sulltanin duke drejtuar shpesh në emër të tij mjaft çështje të rëndësishme shtetërore. Armiku kryesor i Ali Pasha Tepelenës dhe nxitësi i hakmarrjes
së Sulltanit kundër Aliut, ai ka luajtur një rol parësor në rrëzimin e Vezirit plak. Edhe pse në marrëdhënie shumë të mira me greket e Fanarit, sipas burimeve të kohës Halet Efendiu injoroi të gjitha paralajmërimet e Ali Pashës mbi intrigat e aktivitetit të kryengritësve grekë. Ky gabim fatal i cili solli si pasojë rebelimin grek dhe kryengritjen e Moresë, shkaktoi zemërimin e madh të Sulltanit, i cili e shkarkoi nga të gjitha postet, duke e internuar në Konjë. Zemërimi i Sulltanit buronte jo vetëm nga gabimet e Halet Efendiut në këshillat që i kishte dhënë për çështjen e Ali Pashës dhe rebelimit grek, por në radhë të parë ai u ndëshkua si kërkesë e trupave jeniçere të cilat donin kokën e tij. Me urdhër të Sulltanit i pritet koka ende pa mbërritur në Konjë. Koka e tij u dërgua në Stamboll për t’u ekspozuar në kamaren e Portës së Lartë, por jeniçeret e zemëruar nuk e lejuan të qëndronte gjatë, duke e marrë dhe hedhur në Bosfor. Sipas kronikës së kapelanit irlandez Robert Ëalsh, pas vrasjes së Halet Efendiut, bankierit të tij, një çifuti të njohur në Stamboll, iu konfiskua një pasuri shumë e madhe e depozituar nga ish këshilltari i Sulltanit. Mesa duket mallkimi i Ali Pashës e ndoqi nga pas duke bërë që jo vetëm t’i pritej koka vetëm pak muaj pas Aliut, por t’i zhdukej përgjithmonë në ujrat e detit.
Hurshid Pasha
Me origjinë nga Kaukazi, i edukuar në trupat jeniçere. Oficer mjaft i zoti që ngjiti shkallët e karrierës duke u bërë një prej gjeneralëve të preferuar të Sulltan Mahmudit. Mori pjesë në ngjarjet e Egjyptit ku u përball me shqiptarin Mehmet Ali Pasha, por u detyrua të largohej pasi u braktis nga trupat e tij.
Ndoshta një arsye më shumë për t’u zgjedhur nga Sulltani si kryekomandant i trupave otomane kundër Ali Pashës. Pas fitores në Janinë u kthye në Stamboll, por e gjeti veten në vështirësi, pasi armiqtë e tij komplotonin duke u trembur nga pushteti dhe fama që kishte arritur. Vetëm pak muaj pasi i preu kokën Luanit të Janinës, Hurshidi vrau veten për arsye ende të paqarta.
Sekretari i Shtetit Lord Castlereagh
Robert Stewart, Markezi i II i Londonderryt, njohur siLord Castlereagh (Kasëllrei) ishte një burrë shteti irlandezo-britanik. Nga viti 1812 ishte personaliteti kryesor në krijimin e koalicionit që bëri të mundur rrëzimin e ushtrive të Napoleonit. Negociatori kryesor në Kongresin e Vjenës, Lordi Castlereagh ishte gjithashtu udhëheqësi i Dhomës së Ulët në Parlamentin Britanik. Për një kohë të gjatë ai ishte Sekretari i Shtetit për Irlandën. Lord Castlereagh ishte personi për të cilin janë shkruar raportet nga Stambolli për fatin e Ali Pashës. Si Sekretar i Shtetit në periudhën e përplasjeve me Napoleonin, ai e njihte mirë politikanin shqiptar dhe falë tij politika angleze kishte qenë favorizuese me Ali Pashën duke e kthyer atë kundër Napoleonit. Vrau veten në 12 Gusht 1822, vetëm pak muaj pas vdekjes së Ali Pashës.
Dragomani i Parë Stavraki Aristachi
Aristachi, një figurë enigmatike në letrat dhe protokollet zyrtare otomane, ishte Dragomani i fundit i cili mbylli një epokë të gjatë ku posti i rëndësishëm i “Përkthyesit Zyrtar” të Portës së Lartë mbahej nga levantinët (anëtarë të familjeve të krishtera subjekte të Portës së Lartë). Aristachi u akuzua si përkrahës i kryengritjes greke. “U dërgua në internim dhe në shtator 1822 u ekzekutua me urdhër të Sulltanit” PRO.FO/78/111.
Aristachi ka qenë personi kryesor i cili komunikonte me Ambasadën Britanike në emër të Ministrisë së jashtme Otomane edhe mbi çështjen e Ali Pashës.
****
Një dëshmi e vdekjes së Ali Pashës së Janinës sipas një komunikimi zyrtar verbal të bërë nga Shkëlqesia e Tij Reis Efendiu për Dragomanin e Parë të Ambasadës Britanike të Madhërisë së Tij, për informacion për Shkëlqesinë e Tij Lord Strandford.
Konstandinopojë, 24 Shkurt 1822
Na është bërë e ditur se Ali Pasha i fshehur në llogoret, ishte tërhequr me 50 burra të cilët i kishin mbetur besnikë në një pjesë të Kështjellës së Janinës. Vendi i cili ishte zgjedhur për qëndresën e fundit ishte një godinë e ndarë në tre kate. Në pjesën më të lartë qëndronte vetë Pashai me rojet e tij, thesaret ishin vendosur në pjesën e mesit dhe në katin e parë ishte vendosur një sasi shumë e madhe baruti. Hurshid Pasha i njoftuar për këtë veprim dërgoi tek Aliu, Selihtarin e tij për t’i kërkuar të dorëzohej kur ta shikonte ai të arsyeshme, duke i dhënë pjesën e Kështjellës që e mbante ende si dhe t’ja besonte thesarin Selihtarit të tij. Këto veprime dukeshin si më të arsyeshme në kushtet e vështirësive të mëdha ku ai tashmë ndodhej. Ai shtoi se ishte në dijeni të një lajmi që kishte marrë dhenë në trupat e tija, se Aliu do të hidhej në erë së bashku me rojet e tija besnike dhe thesaret që kishte, nëse detyrohej të mos kishte rrugëdalje. Ky kërcënim nuk e frikësonte atë, e nëse Aliu nuk vendoste menjëherë, ai do të vinte vetë dhe do t’i vinte flakën godinës.
Ali Pasha ju përgjigj Selihtarit se ai e kishte të qartë situatën ku ishte dhe se nuk kishte tjetër rrugë, por do të vendoste të dorëzohej sapo të sigurohej se do t’i falej jeta.
Selihtari premtoi se do t’ja shpinte fjalët e Aliut, Padronit të tij dhe pasi e bëri këtë, u kthye menjëherë tek Aliu duke i thënë se në emër të Hurshid Pashës kërkonte t’i bënte të ditur se kërkesa e tij për faljen e jetës varej vetëm nga Sulltani, se Pashai me dëshirë do t’i kërkonte Lartësisë së Tij Sulltanit, faljen e jetës për Aliun, por ai nuk mund ta bënte këtë me sukses nëse Aliu nuk i jepte të gjitha ato që mbante me vete, duke i dorëzuar Fortesën, thesaret, depot, njerëzit e të tjera, e të tërhiqej për të pritur vendimin e Sulltanit në një ishull të vogël në Liqen pranë Fortesës.
Ali Pasha kërkoi kohë që të mendohej për vendimin e tij dhe pas disa bisedimesh me Selihtarin, ai u tërhoq nga Fortesa dhe shkoi në ishullin e vogël së bashku me shpurën e tij, me përjashtim të njërit prej njerëzve të tij më besnikë, me të cilin ishin marrë vesh për sinjalet që ai do t’i bënte nëse do të hidhte gjithçka në erë, apo do t’ja dorëzonte Hurshid Pashës. Selihtari e priti Ali Pashën në ishull me të njëjtin numër burrash sa kishte nga pas ai vetë, duke e shoqëruar Vezirin. Ata i bënë të gjitha nderimet e rangut të tij dhe për disa ditë me rradhë u trajtua nga Hurshid Pasha me respektin më të madh; Aliu pati besim dhe dha urdhër që të dorëzoheshin të gjitha që ai kishte lënë në Fortesë. Menjëherë u dha urdhri që të hiqej baruti prej andej dhe të çohej në një vend të sigurtë. Në të njëjtën kohë Ali Pasha kërkoi që një prej oficerëve të tij që komandonte rreth 100 burra të lejohej që të vinte tek ai në ishull. Hurshid Pasha pranoi por në të njëjtën kohë dërgoi edhe ai një numër të njëjtë ushtarësh për të mbajtur në kontroll njerëzit e Aliut. Ndërkohë disa pashallarë të një rangu më të ulët i bënin vizita Aliut. Në ditën e 13-të të Hënës Djemaziul Awwel (5 shkurt 1822), Mohamed Pasha, Guvernatori i Moresë, i ofroi Aliut ndihmën e tij për t’i sjellë një sasi ushqimesh dhe furnizimesh të tjera. Aliu iu përgjigj se nuk dëshironte asgjë, me përjashtim të një sasie mishi, por pak më vonë shtoi se kishte edhe një dëshirë tjetër, megjithëse nuk donte të ofendonte fenë me kërkesën e tij, e prandaj nuk po e kërkonte. Kur ju tha se mund ta shprehte dëshirën e tij, ai u përgjigj se verë ishte ajo që kërkonte. Mohamed Pasha i premtoi se do t’ja sillte. Biseda vazhdoi edhe për pak në mënyrën më miqësore dhe Mohamedi u çua të largohej. Të qenurit të të njëjtit rang, bëri që të dy të çoheshin në të njëjtën kohë nga divani ku ishin ulur dhe pas ceremonisë së zakonshme dhe përpara se të dilte nga dhoma, Mohamed Pasha u përkul thellësisht. Aliu i ktheu komplimentin, por në momentin kur ishte i përkulur, Mohamedi ekzekutoi vullnetin e Sovranit duke i ngulur thellë një kamë në anën e majtë të gjoksit. Ai doli menjëherë nga dhoma duke thirrur se Aliu kishte dhënë frymë. Disa burra nga shpura e Mohamedit, hynë në dhomë dhe i prenë kokën Pashait. Koka iu tregua trupave të Sulltanit dhe ndjekësve të Pashait dhe menjëherë një përleshje u bë tek shkallët, ku disa burra u vranë. Por mendjet e njerëzisë u qetësuan dhe më pas të gjithë thirrën, “rroftë Sulltani dhe Veziri Hurshid Pasha”.
Firmosur, (Strangford)
Botuar sot në DITA