Hajde, hajde, shpejt, luani duart, ngadalë, mos nxitoni.
Mos shkruani poezi sa hap e mbyll sytë sepse janë më të vështirat, prisni së paku nja tetëdhjetë vjet.
Shkruani mbi një temë tjetër, si fjala vjen….për detin, për erën, për një kalorifer, për një tren të vonuar.
Nuk ka diçka më poetike se një tjetër. Poezia s’është jashtë, është brenda.
Çfarë është poezia? Mos më pyet më, shihu në pasqyrë, poezia je ti.
Mbathini mirë e mirë poezitë.
Rrëmojini mirë fjalët. Duhet t’i zgjidhni.
Ndonjëherë duhen tetë muaj për të gjetur një fjalë.
Zgjidhini, sepse bukuria zë fill kur dikush ka nisur të zgjedhë, që nga Adami dhe Eva. A e dini se sa kohë iu desh Evës para se të zgjidhte gjethen e duhur të fikut? Kaloi nëpër duart tërë fiqtë e parajsës tokësore.
Dashurohuni.
Nëse s’dashuroheni gjithçka është e vdekur.
Duhet të dashuroheni dhe gjithçka kthehet në jetë, gjithçka lëviz.
Shkapërderdheni gëzimin, shpërndajeni harenë.
Jini të trishtë e të heshtur pa hesap.
Përplasjani në surrat njerëzve lumturinë.
Për ta përçuar lumturinë, duhet të jesh i lumtur dhe për të përçuar dhimbjen duhet të jesh i lumtur.
Jini të lumtur.
Duhet të niseni, të jeni ligsht, të vuani.
Mos kini frikë të vuani, Tërë bota vuan.
Edhe po s’ia dolët dot, nëse s’gjeni dot mënyrën, mos u shqetësoni, sidoqoftë për të shkruar një poezi vetëm një gjë ju nevojitet: gjithçka.
Dhe mos kërkoni risinë. Risia është gjëja më e vjetër që mund të ekzistojë.
Dhe nëse vargjet nuk ju burojnë nga ky pozicion, as nga ky, as nga ky tjetri, lëshohuni përdhe, shtrihuni në tokë.
Shtrirë mund ta shohësh qiellin. Pa shikoni ç’mrekulli, përse nuk isha shtrirë më parë?!
Çfarë shihni? Poetët nuk shohin, vështrojnë.
Bindjuni fjalëve.
Nëse fjala është “MUR” dhe “MURI” s’ju bindet, mos e përdorni për tetë vite, që t’i bëhet mësim!
Kjo është mrekullia, si këto vargje mbi dërrasën e zezë që do doja të qëndronin aty të shkruara përgjithmonë.
Hajde pra, fshini gjithçka!
TIGRI DHE DËBORA, ( Film i 2005 –ës )
Përktheu: Beti Njuma