Skicat e panjohura të inxhinierit dhe historia misterioze e ndarjes nga jeta

“Në vend të ditarit”
Skicat e panjohura të ish-inxhinierit
Një ekspozitë me 189 punë, kush ishte Latif Fodulli që u nda nga jeta më 1967
Kanë kaluar rreth 50 vjet nga 12 maji i vitit 1967, kur inxhinieri që s’kishte mbushur as pesë muaj punë në Uzinën e Poliçanit, Latif Fodullit, rezultoi papritmas i vdekur pranë lumit Vjosë. Ata që e njohën si nxënës në Çepan e në Vlorë, studentë e profesorë në Tiranë e në Kinë, inxhinierë e punëtorë në Shkopet, Bistricë, Roskovec, Milot, Prrenjas, Lushnjë, Korçë, Poliçan, kanë lënë kujtime me shkrim, në të cilat spikat vlerësimi për të si një djalosh me formim të rrallë, saqë shumëkush e quante fenomenal. Vdekja e tij u mbulua me heshtje, pasi arkëmorti i tij nuk u hap. Ajo u la në harresë për një gjysëm shekulli. Njerëzit e tij kanë besuar më në fund se mund të ketë qenë pikërisht intelekti i tij prej ylli që vendosi fatin e tij – dërgimin në univers, aty ku i takonte…Këto përsiatje kanë munduar për 5 dekada me radhë familjarët e shokët, por në fund të fundit, ngushëllimi më i mirë sot është ta sjellim të gjallë edhe njëherë përmes veprës modeste që ka lënë pas.
Latifin e kanë vlerësuar për mendimin filozofik të pjekur, që kapërcente kufijtë e moshës, por edhe për një formim të rrallë artistik, dhe aftësinë për të skicuar qartësisht e në mënyrë krejt origjinale njerëz, objekte e gjendje të caktuara, e cila mund të ilustrohet nga thëniet e disa artistëve që mundën të shohin disa prej 189 skicave e vizatimeve të lëna prej tij si trashëgimi e vyer për familjen e tij, por edhe për ata që do të kenë rastin ti shikojnë ato të ekspozuara nën titullin: NE VEND TE DITARIT.
Muntaz Dhrami, Skulptor i Merituar: “Këto skica flasin për një djalosh të talentuar. Disa prej tyre kanë ide. Po të ishin bërë nga një piktor i madh, këto skica do të ishin vlerësuar maksimalisht, por për fat të keq ato janë bërë nga një djalë i panjohur. Më duket me vend që ato të vlerësohen në një ekspozitë apo të bëhen pjesë e një libri në kujtim të Latif Fodullit.”
Skënder Kamberi, Piktor i Popullit: “Latif Fodulli në rreth njëmijë e dyqind faqe të dorëshkrimeve të tij identifikohet si një personalitet në fushën e letërsisë dhe arteve. Të gjitha ato që ka lënë Latifi si vizatime të marra veças apo kompozime, qofshin edhe fragmente, mund ti bëhen të njohura masës së gjerë dhe publiku artdashës mund të vlerësojë cilësinë e korpusit të kësaj gjinie të krijimtarisë së Latif Fodullit, këtij talenti që shkollën shtatëvjeçare e ka kryer në Vlorën time”.
Burhan Cami, piktor profesionist: Sa pashë këtë fond prej afër dyqind vizatimeve, mund të them se ky djalë ka patur një botë të pasur shpirtërore. Pasioni për të vizatuar ka qënë pjesë e botës së tij shpirtërore. Vizatimet e tij çlirojnë energji. Është pasion në shpërthim, me prirje groteske. Vizatimi i tij është herë-herë shpërthyes, rebel, i lirë. Sikur kërkon lirinë e munguar, lirinë e plotë.”
Stefan Taçi, artist: Autori i këtyre vizatimeve duket që ka qënë implusiv, sepse ka punuar në disa gjini e në çdo letër që i bie në dorë. Bien në sy prirjet groteske. Shpesh herë në vizatimet e tij ai arrin vlera shumë të mira. I hedh impresionet e tij në një linjë edhe delikate, menjëherë. Në vizatimet e tij niset nga prototipat realë të jetës. Ai ka patur dëshirë për të vizatuar impulset e brendshme, dhe e ka bërë me talent. Impresiv, interesant dhe me imazh të fuqishëm është vizatimi me ngjyrosje dhe një objekt i veçantë me laps të zi. Nuk e kuptoj çfarë është objekti i vizatuar, por imazhi është tepër modern.’
Ing. Qemal Koxhaj, shok i ngushtë: Latifi vizatonte shumëçka që i vinte në mëndje e ja sillte muza. Lapsi i tij rrëshqiste lehtë sapo vendosej mbi faqen e librit të lëndës mësimore, mbi faqen e fletoreve të shënimeve, mbi zarfin e letrës së ardhur me postë nga vëllai, mbi faqet e bllokut të vockël të shënimeve, që e mbante kurdoherë me vete në xhep, mbi një letër çfarëdo që i binte në dorë, dhe nuk ndalonte. Latifi nuk përdorte kurrë gomë. Ai vizatonte gjithnjë direkt në të pastër.
Poeti Visar Zhiti: Potenciali intelektual i një të riu 27 vjeçar si Latif Fodulli, duhet të njihet nga shoqëria; ai duhet të futet në fondin e vlerave kombëtare, si një talent që u vra apo e vranë, sepse ai ishte një yll edhe në art e letërsi, jo vetëm në inxhinieri”
Vlerësime të ngjashme, me nota superlative, i kanë bërë skicave dhe vizatimeve të Latif Fodullit edhe artistët Ardian Kapo, Idlir Koka, etj.
“Fondacioni Kalo” dhe “Galeria Kalo” mendojnë se kjo ekspozitë, e para në llojin e vet, do të pritet dhe përcillet me interesim nga publiku artdashës kryeqytetas e më gjerë.

received_805894776207481

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *