Trashëgimisë Kulturore Bizantine në Shqipëri sot

Një tryezë e rrumbullakët shkencore me temë “Vlerësimi i Studimeve dhe i Trashëgimisë  Kulturore Bizantine në Shqipëri sot” mbahet të premten në orën 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar.

Shoqata Shqiptare e Studimeve Bizantine (ShShSB), anëtare zyrtare e International Association of Byzantine Studies (AIEB www.aiebnet.gr), është një organizëm shkencor jofitimprurëse që ka si qëllim promovimin dhe koordinimin e studimeve bizantine në të gjithë territorin e Shqipërisë, përmes organizimit të veprimtarive përkatëse shkencore e kulturore.
Në kohën tonë studimi i historisë dhe kulturës Bizantine, i shfaqjeve të shumëllojta dhe e ndikimeve të tij, ka marrë një zhvillim të ri edhe në vendin tonë. Pas një periudhe relativisht të gjatë jo aktive, Shoqata Shqiptare e Studimeve Bizantine (ShShSB), u ri‐themelua në vitin 2013 me nismën dhe interesimin e veçantë të Prof. Dr.  Johannes KODER i Institutit të Studimeve Mesjetare, Departamenti i Studimeve Bizantine i Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine (AIEB). Ky interes për studimet bizantine është i natyrshëm dhe i justifikuar, jo vetëm për faktin se populli shqiptar ka qenë përmbi 10 shekuj pjesë përbërëse e Perandorisë Bizantine, por edhe për lidhjet e ngushta politike, ekonomike dhe kulturore, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mjaft fusha të jetës shoqërore e kulturore në vendin tonë.

Në këtë kuadër, ShShSB‐ja me mbështetjen e Ambasadës Austriake në Tiranë organizon një Tryezë të Rrumbullakët Shkencore me temë “Vlerësimi i Studimeve dhe i Trashëgimisë Kulturore Bizantine në Shqipëri sot”. Kjo veprimtari do të zhvillohet në ditën e 6-të të muajit maj të vitit 2016, në orën 11.00, në Sallën wordpress “Kostandin Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë me praninë e mediave dhe me pjesëmarrjen e akademikëve, profesorëve dhe studiuesve nga i gjithë vendi. Në punimet e Tryezës së Rrumbullakët, ku ndër të tjerë do të referojnë Profesor Johannes Koder, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Lida Miraj, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. Dr. Luan Perzhita, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Lektor Andi Rembeci, etj., do të trajtohen arritjet e deri­tanishme në fushën e studimeve bizantine në Shqipëri, duke vlerësuar nivelin e tyre, drejtimet dhe disiplinat studimore si edhe metodologjitë e përdorura shkencore.

Konferenca synon të çelë, gjithashtu, përmes propozimeve dhe diskutimeve, perspektiva të reja në fushën e studimit të artit, kulturës dhe trashëgimisë monumentale bizantine në Shqipëri dhe të promovojë bashkëpunime të reja në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Njoftimi eshte bere nga Bordi drejtues i ShShSB‐së: Prof. Dr. Lida Miraj, Prof. Dr. Aleksandër Meksi,  Prof. Dr. Skënder Muçaj, Lektor Andi Rëmbeci,  Prof. Dr. Pëllumb Xhufi,  Prof. Dr. Luan Përzhita dhe Spiro Nika, Arkeolog.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *