Aktori Armend Baloku thotë se shfaqja u anulua sepse publiku nuk ishte i mjaftueshëm sa për të qenë ekipi i bindur se duhej ta shfaqnin punën të cilin e kishin përgatitur.
Një nga reprizat e shfaqjes “Lojë Martese”, me aktorët Armend Baloku dhe Vlora Nikçi, nën regjinë e Kaltrim Balajt, është dashur të anulohet komplet javën që lamë pas.
Siç kupton KultPlus, as edhe një biletë e vetme nuk është shitur në Teatrin Dodona për këtë shfaqje e cila është vlerësuar mirë në premierën dhe reprizat e mëhershme.
Jo rrallë ndodhë që shfaqjet në Kosovë të anulohen sepse mungon publiku. Aktori Armend Baloku thotë se shfaqja u anulua sepse publiku nuk ishte i mjaftueshëm sa për të qenë ekipi i bindur se duhej ta shfaqnin punën të cilin e kishin përgatitur, shkruan KultPlus.
“Teatrot tona ndoshta nuk kanë publikë sa do të dëshironim, por fillimisht duhet të ketë teatro funksional gjithandej Kosovës, për të qenë pastaj të bindur konkretisht se sa ka publikë në Teatrot e Kosovës” tregon Baloku.
“Lojë martese” ka të bëjë me jetën e një çifti, por më shumë se jetën e tyre ka të bëjë me krizën e moshës së mesme.
“Kur një aktor i huaj më pyeti se sa teatro i ka qyteti, më erdhi vështirë ti tregoj që komplet shteti ka një teatër funksional, ngase të tjerat funksionojnë me teke të kryetarëve të komunave. Kjo flet edhe për publiku që kemi, flet për kulturën e udhëheqësve komunalë dhe kulturën tonë si shoqëri” vazhdon Baloku, i indinjuar edhe me mungesën e publikut por edhe me improvizimet që shpesh sipas tij ndodhin në këtë fushë.