“Zërat e Butrintit”, kujtesa e banorëve rrëfen ndryshimet

Zërat e Butrintit është një projekt i cili ka filluar qysh në vitin 2014 dhe vazhdon deri këtë vit. Projekti financohet nga Fondacioni Butrinti (Londër) dhe aplikohet nga Qendra Trakult (Tiranë) në bashkëpunim me Parkun Kombëtar të Butrintit. Qëllimi i projektit ka qenë afrimi i komuniteteve që jetojnë pranë Butrintit dhe përfshirja e tyre në trashëgiminë kulturore lokale”. Kështu shprehet Ilir Parangoni Drejtues Ekzekutiv Qendra për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare (Qendra Trakult) që është marrë me projektin.
Sipas tij, përmes intervistave të banorëve vendas ata janë munduar të krijojnë një qasje tjetër për Butrintin jo më të bazuar në gërmime arkeologjike apo studime historike. “Këto të fundit kanë qenë shumë të rëndësishme në vlerësimin e qendrës antike të parkut, por nga ana tjetër kanë lënë jashtë lidhjen që banorët e sotëm kanë me Butrintin.
Parangoni, vëren se shumë ngjarje dhe ndryshime që kanë ndodhur në këtë zonë ruhen vetëm në kujtimet e banorëve vendas, të atyre që jetojnë çdo ditë me Butrintin dhe peizazhin e tij. Prandaj zëri i tyre është edhe më i rëndësishëm. “Në projekt u përfshinë fshatrat e Ksamilit, Vrinës, Shën Dëllisë dhe Xarrës, dhe shkollat e tyre. Përmes historisë gojore (oral history) kujtimet e banorëve vendas përbënë bazën për prodhimin e disa materialeve edukuese për shkollat e këtyre fshatrave. Si rrjedhojë, u arrit jo vetëm afrimi i banorëve me trashëgiminë kulturore lokale por edhe edukimi i brezave të rinj të zonës duke hedhur në këtë mënyrë një hap të sigurt në ruajtjen e Butrintit në terma afat gjatë. Nuk duhet të harrojmë që shtylla kurrizore e një qendre të trashëgimisë kulturore janë vet banorët vendas”, thotë Parangoni.
Fazat
Parangoni tregon se shkurtimisht projekti ka tre faza: • Në vitin e parë, 2014, u morën intervistat nga banorët e moshuar vendas dhe fotografitë e tyre. • Në vitin e dytë, 2015, informacioni u përpunua duke u finalizuar me një libërth që po përdoret nga mësuesit e trashëgimisë në shkollat lokale dhe gjatë vizitave në Butrint. • Këtë vit me pjesën tjetër të informacionit, ne kemi parashikuar të përgatisim një ekspozitë të lëvizshme (pop up) në fshatrat dhe shkollat lokale duke vazhduar më tej përfshirjen e tyre në trashëgiminë kulturore. Ekspozita do të qëndroj e hapur për një farë kohe edhe në Parkun e Butrintit gjatë sezonit turistik për të plotësuar më tej tablonë e Butrintit si një qendër e trashëgimisë botërore në sytë e vizitorëve të huaj.
“Dëshira jonë në të ardhmen do të ishte zgjerimi i kësaj qasje në qendrat e tjera historike apo parqet arkeologjike të vendit por kjo do të varet nga donatorët. Ministria Kulturës nuk ka mbështetur financiarisht deri më tani por Zërat e Butrintit është një nga projekt që përmbush më së miri strategjinë e “Edukimit përmes Trashëgimisë” të kësaj ministrie”-thotë Ilir Parangoni Drejtues Ekzekutiv Qendra për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare (Qendra Trakult).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *