Ç’ofrojnë fetë që është e domosdoshme për t’u mësuar nga fëmijët ?

Nga Imer Topanica 

Ç’ofrojnë fetë që për nxënësit është e domosdoshme për t’u mësuar? – kjo është pyetja që duhet shtruar në debatin më të madh që ka përfshirë njerëzit e profileve të ndryshme në hapësirat shqiptare. Ani çka që mund të ndodhë e të kalojmë përskaj shijeve të Mark Zuckerberg-ut, respektivisht listës së tij të librave që i konsideronte si të domosdoshëm për t’u lexuar e ku në rend të parë vendoste Mukadima-n e Ibn Khaldunit. Sepse pyetja: ç’ofrojnë fetë – veç tjerash, provon ta qetësojë një pjesë të opinionit që problemin më të madh e kanë të pajtohen me idenë se aty, qoftë edhe krejt sipërfaqësisht, do të mësohet për islamin dhe për vlerat që disa prej nesh ia atribuojnë këtij sistemi jetësor. Ani pse, për rrjedhojë do të përfshinte frymën emancipuese, didaktike, që ndërtohet mbi konkluzione profetike të tilla si: Pastërtia është gjysma e besimit (islam)! Ose:Përpara Zotit i bardhi nuk ka përparësi ndaj të ziut, e as i ziu ndaj të bardhit, përveçse me devotshmëri dhe punë të mira. – mësime këto që zgjidhin në mënyrë të qartë e precize problemet me pastërtinë e ambientit, racizmin etj, dukuri të shprehura edhe në meset tona. Ani pse do të mësonin për çmimin e lartë të vlerës që islami ia vendosë dijes dhe se si ky çmim solli ngjalljen e shkencave si: matematika, astronomia, fizika me mekanikë, mjekësia, kimia, filozofia, logjika, historia, gjeografia etj. Në të vërtetë lakimi i emrave si: Ibni Sina (mjek, filozof), Xhaber Gejat (kimist); Xhabrin Abdullah Betani, Al Baruni (astrologë), Ibn Rushdi, Al Ghazali, Al  Farabi (filozofë), dhe i shumë emrave të tjerë, në kuptimin e ndikimit të madh që e ushtruan për shekuj me radhë në kulturat dhe civilizimet lindore e perëndimore, do të përbënte një ndryshim tejet të madh për vet literaturën shqiptare. Ani pse do të ishim në harmoni edhe me dijetarin Umberto Eko që kur ua kujtonte lexuesve evropianë e botërorë ndikimin e literaturës islame në letërsinë perëndimore teksa trajtonte Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit, pranonte hapur vlerën e letërsisë islame si burim i ndikimit në atë perëndimore. Pikërisht kjo do t’i hapte udhë mundësisë së çlirimit të literaturës sonë nga mendësia komuniste. Por jo, sikurse këmbëngulte Aurel Plasari (te artikulli ‘Mendime për historinë e feve si lëndëmësimore), t’i vendosim ato kritere që lëndës në fjalë t’i japim karakter krejtësisht historik, përderisa me pak përpjekje, ne mund t’i plotësojmë tekstet e historisë me informata të bollshme rreth feve e botëkuptimeve fetare të ndryshme mbi botën (si e qysh lindën, si e qysh u përçanë, si e qysh u përhapën etj). Konsideroj që nuk kemi nevojë për një lëndë shtesë që do ta luante rolin e historisë (ani pse për objekt ka vetëm historikun e feve).

Natyrshëm, kjo lëndë në karakterin e saj, do të ketë më shumë nevojë për një shtresim të tillë karakteorologjik (atë historik). Shkruar në stilin e Plasarit do të mund të thoshim: A do të mësojnë nxënësit për kontributin e madh në rrafshin kulturor e kombëtar të bejtexhinjve? Të cilët për herë të parë futën e i trajtuan temat laike në poezitë e tyre dhe për më tepër, siç e thotë historiani Hasan Kaleshi, shtyjnë datën e fillimit të letërsisë së mirëfilltë për dhjetra dekada më tutje seç predikon historia e letërsisë sot për sot? A do të mësojnë për shembull, për poetin Suzi Prizrenasin? Dhe për dhjetëra poetë të lënë në harresë, veç pse shkruan me alfabet arab? A do të mësohet për kontributin e jashtëzakonshëm të prijësve politikë të periudhës së rilindjes (se si një pjesë e madhe e tyre ishte edukuar në frymën fetare?)? Për xhamitë, medresetë etj, që u shndërruan në qendra të rëndësishme për aktivitete politike në kohët më kritike për shqiptarët? A do të mësojnë për Mulla Zekë Bërdyn-an, Mulla Idriz Gjilanin e Jakup Hasipin? Hoxhollarë që kontribuan edhe me armë në dorë, në luftën për çlirimin e vendit? – (Pa anashkaluar kontributin e klerit katolik e atij ortodoks në çështjen kombëtare). Ndoshta po, por kjo ka pak rëndësi. Për të qenë korrekt, këtë rol mund ta kryej fare mirë siç e thamë edhe më lart, historia.

 

Ajo çka është e nevojshme dhe e domosdoshme për nxënësit të dinë për fetë, nuk përbëhet prej një grumbulli të dhënash historike. Kanë nevojë të dinë për vlerën e etikës nga perspektiva islame, e krishtene, hebraike, ortodokse, budiste e pse jo edhe doktrinave të reja moderniste/materialiste. Nxënësit kanë nevojë të dinë për kuptimin dhe vlerën e familjes nga perspektivat e ndryshme, të botëkuptimeve religjioze të ndryshme. Nxënësit kanë nevojë të dinë për papajtueshmërinë e këtyre botëkuptimeve dhe nevojës së madhe të kultivimit të një harmonie ndër-religjioze. Kanë nevojë të mësojnë se ç’zgjidhje ofrojnë këto sisteme vlerash për racizmin, feminizmin, djathtizmin, majtizmin e laicizmin për shembull? Për vendin që i krijohet lirisë së shprehjes nga të gjitha këndvështrimet (a)religjioze. Për më tepër, kanë nevojë të nxiten që të debatojnë rreth koherencës së sistemit të vlerave që ofrojnë këto botëkuptime. Po e zëmë, a është botëkuptimi islam koherent në këtë shekull të shkencës e teknologjisë? Sepse të flitet për obskurantizmin mesjetar i krishten, si mekanizëm i përshtatshëm i shtypjes së ideve progresive shkencore, përbën një potencial të rrezikshëm, të gatshëm të shkaktoj pasoja të reja, jo vetëm valë pakënaqësish në kuadër të një komuniteti të caktuar.

Po të nisemi pra prej këtij bazamenti: ç’ofrojnë botëkuptimet religjioze që nxënësit kanë nevojë ta mësojnë në të ardhmen? Do të jemi më pranë formësimit të një materie të përshtatshme për ndërtimin e lëndës, e cila herët a vonë do të bëhet pjesë e korrikulave shkollore në shkollat tona./ Penaime/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *