“Gënjeshtër pas gënjeshtre” është premiera e re që ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me 16 janar në orën 19:00.
Vepra e Anthony Neilson, me regji të Qëndrim Rijanit, kostume të Sofi Karasë, skenografi të Beqo Nanaj, interpretohet nga Mehmet Xhelili, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Ermira Gjata, Adriana Tolka, Andi Begolli, Dasara Xhangolli.
“Gënjeshtër pas gënjeshtre” është një vepër në mes vargjeve të së cilës jemi përpjekur që të zberthejmë ato të vërteta tronditëse të cilat n’a thuhen përmes gënjeshtrave që vijnë njëra pas tjetrës, e që në tërësi formojnë një gënjeshtër të madhe që tek ne transmetohet nga dy policë, të udhëhequr nga paaftësia për të thënë një të “vërtetë” të dhimbshme. Të gjithë ‘përrallën’ e transformojnë në një ngatëresë të madhe situatash, sa komike po aq intriguese.
Ata vijnë për t’ju dhënë lajmin e vdekjes së vajzës një çifti pleqsh dhe karakteret e tyre “luftarakë”. Mes të mirës dhe të keqes ku ngatërrohet përjetimi (keqkuptimi) i çift-it, ata mendojnë se ju ka vdekur qeni. E gjithë kjo përkthehet në një lojë ndjenjash ‘Mes jetës së njeriut si qen dhe jetës së një qeni si njeri”.
Një linjë tjetër vjen përmes personazhit të Gronias e cila përfaqëson revolucionarët tipikë që marrin mbi supe luftën ndaj të keqes shoqërore dhe të keqes që kanë marrë përsipër t’a luftojnë duke e idealizuar vetveten duke patur po atë të keqe brenda vetes.
Aty diku paraqitet edhe një prift si përfaqësues i moralit të pastër dhe mban mbi supe të gjithë imoralitetin shoqërorë. Mes ngatërresash të mëdha që prodhojnë pa fund situata komike, tek ne si një grusht ballit vijnë të “fshehtat” apo të “vërtetat” e asaj që quhet apo nuk quhet dashuri e vërtetë, e një çifti që ka një jetë që jetojnë si burrë e grua.
Vetë përralla të cilën do t’a ndiqni sado e largët gjeografikisht që duket, është po aq e afërt emocionalisht me ndodhitë e jetës tonë të përditshme.
Komedia, mund të ndiqet çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të dielë deri me 28 Shkurt 2016.