Kontaktet arbërore-hungareze duhen të kenë qenë të hershme që në momentet kur kurora hungareze zotëronte territore të gjera të Kroacisë dhe Bosnjës së sotme. Dokumentacioni në dispozicion nuk na ndihmon shumë në këtë drejtim, por duke ditur se prania e arbërve, qoftë si qytetarë apo si tregtarë dhe udhëheqës ushtarakë të Republikës së Raguzës ka qenë relativisht e madhe, mund të sugjerojmë se ka pasur një kontakt të ngushtë mes tyre. Këto kontakte do të marrin dhe një rëndësi më të madhe politike dhe ushtarake sidomos në shekullin XV, kur territoret e Arbrit dhe të Hungarisë ishin nën kërcënimin e drejtpërsëdrejti të osmanëve.
Në thelb, ky bashkëpunim do të mbështetet mbi sferën e përbashkët kulturore, pasi të dyja territoret përkisnin në nocionin gjeografik e kulturor të Europës. Familjet fisnike arbre, ishin përfshirë në atë çka po përbënte idetë e para të Rilindjes Europiane, një lloj ringjalljeje të së kaluarës së lavdishme të kulturës së antikitetit dhe lidhjes së origjinës së tyre me heronj të asaj periudhe. Familjet fisnike arbre fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë, si ato të Engjëllorëve p.sh., një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm, pasi përcakton përkatësinë e identitetit që këto familje fisnike ndiejnë, por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera europiane, duke përforcuar kështu idenë europiane të rajonit, që zë fill nga miti i lashtë i Europës, por që ushqehet rrugës dhe me mite të reja. Kështu p.sh., Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu (1405-1468), në letrën që i dërgon princit të Tarantit më 1460-n, i përmend origjinën e vet, atë epirote dhe lidhjen e kësaj origjine me një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu, Gjon Muzaka në veprën e vet “Gjenealogjia e Muzakajve” (1510), përveç burimeve të shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen që nga ajo e heroit mitologjik Herkulit. Natyrisht që kontakti kulturor që pati Adriatiku lindor me botën perëndimore, qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në të dyja anët e Adriatikut, por dhe nëpërmjet administrimit të drejtpërsëdrejti të territorit si është rasti i Mbretërisë së Arbrit (1272) nën familjen e njohur fisnike franceze Anzhuinët, por dhe administrimi i qyteteve nga Venediku krijuan një perceptim tjetër për idenë e Europës dhe shtrirjen e saj, në dallim nga provincat e tjera të Perandorisë Bizantine, ku nuk shikojmë fenomene të tilla, pasi janë më thellë në gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në perceptime të tilla të drejtpërsëdrejti. Ndaj në këtë kohë, fillimet e shekullit XIV dhe në shekullin XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi përjetimin e një lëvizjeje humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes Europiane. Kjo lëvizje do të ketë një konceptim të qartë të idesë së Europës, unitetin gjeografik e atë moral dhe kulturor, ku për herë të parë do të ketë kontakte dhe me prurjet e reja si Polonia, Transilvania, Hungaria dhe deri Anglia.
Kjo gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët, konflikt që largon territoret e Arbrit për më se tre shekuj nga ideja e Europës dhe projektet rreth saj. Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon, ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit, nëpërmjet thirrjeve për ndihmë, krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral e fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë, zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitane, katalane, gjermane dhe angleze, të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Europën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin, bëjnë të mundur që ideja e Europës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër osmanëve. Vetë prijësi arbër, Gjergj Kastrioti, është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojtje të Europës në të gjithë korrespodencën që ai ka me princat europianë, por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papa Kalistit III, kalorësi anglez John of Newport do t’i shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali.
Papa Kalisti III u shpall si i tillë në datën 8 prill 1455 dhe u shugurua në datën 20 prill. Kardinal Alfonso de Borja (i italianizuar në Borxhia) ishte 80 vjeç kur erdhi në krye të Selisë së Shenjtë dhe kishte lindur në Jativa, Valencia, ish-kanonizuar nën Benedetin XIII dhe qe njohur më pas nga Martini V, që e emëroi ipeshkëv të Valencias. Kishte kaluar një periudhë kohe në Itali, në Napoli në oborrin e Alfonsit V, por duke qenë se ky i fundit ishte shumë antiklerik, u largua e u zgjodh kardinal prej Papa Eugjenio IV. Papa Kalisti III, në dallim nga paraardhësit e vet Eugjenio IV dhe Nikola V, nuk shfaqte kurrfarë interesi për librat, për politikën kulturore e as nuk e interesonin artistët, por pavarësisht këtij mosinteresimi përreth shkencave humane, edhe pse ishte 80 vjeç, ai ishte një njeri i veprimit që i interesonte rregulli publik dhe mbi të gjitha si spanjoll që ishte, ushqente një zemëratë të pashoq ndaj arabëve që kishin sunduar prej kaq kohe në Spanjë dhe ndaj osmanëve që po kërcënonin Europën. (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. Skënderbeu dhe Papati. “Plejad”: Tiranë, faqe 149-150.) Ai ishte ideatori dhe organizuesi i ndërmarrjes së një kryqëzate, e cila u quajt “Liber Brevium Callisti III”. Kardinalët dhe predikuesit iu drejtuan turmave popullore duke u bërë thirrje “të rrokin kryqin” për të luftuar armiqtë e besimit. Kontingjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe Hungari, në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da Kapistrano. (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], faqe 169.) Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje ishte pjesëmarrja e këtij kontingjenti forcash në marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze me në krye Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6 gusht 1456, në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast, Papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë, tashmë lipsej të marshonte drejt Kostandinopojës dhe Jerusalemit. (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], faqe 153-154.)
Mirëpo, pavarësisht kësaj ndërmarrjeje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për kryqëzatën, duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin e vet pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht ndaj shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në betejën e Beogradit ku kryqtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë. (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], faqe 169.)
Në këtë kontekst europian të përpjekjeve të Papa Kalistit III për organizimin e një kryqëzate të suksesshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për t’i pasur pjesë të rëndësishme të kësaj kryqëzate. Edhe pse Skënderbeu kishte pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe luhatjeve të pushtetit të tij pas tradhtive të nipërve të vet Gjergj Stres Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës më 1456-n dhe Hamzait më 1457, pas fitores mbi ushtrinë e udhëhequr, Isak Bej Evrenozi, gjenerali më me përvojë osman për sa u përket betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti, e njohur si Beteja e Albulenës, ai përfitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha vlerësimet pozitive të shpërndara në të gjitha oborret e Europës përmes korrespondencës të Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Në planin teorik të kryqëzatës, Skënderbeu zinte një rol kryesor në rreshtimin e forcave, ku Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, ipeshkvi i Krajës, Pal Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi besojmë, ndoshta për të mbledhur në të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën për të mbështetur pozicionin e saj të lëkundur, e kësisoj drejtpërsëdrejti të rrezikshëm për Shqipërinë (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], “Plejad”, faqe 185-186.)
Ky nuk ishte bashkëpunimi i parë midis Janosh Huniadit dhe Gjergj Kastriotit, dy prijësve shumë të rëndësishëm ushtarakë të Europës së asaj kohe. Më herët kishte pasur një përpjekje në vitin tetor 1448, për t’u bashkuar të dy ushtritë, por trupat e Skënderbeut qenë penguar nga forcat e Despotit të Serbisë, i cili ishte një vasal i osmanëve.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti ta mposhte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu, shembulli i tij nga motiv ndihmash, u shndërrua në motiv inkurajimi për princat e krishterë në luftën kundër osmanëve. Ky fakt duket qartë në letrën që Papa Kalisti III i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: Falë fitoreve të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], faqe 208). Në vijim, Papa Kalisti III flet me superlativa për Skënderbeun, duke e quajtur atë kavalier trim dhe atlet i Zotit: Në Shqipëri, kavalieri dhe atleti i Zotit, Skënderbe forca dhe qëndresa jote shpirtërore, që ti vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti duhet të përballosh … I falemi Zotit për vendin tënd, që të ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm, mbi të cilin turren duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah sikur të kishim edhe të tjerë me vlerën tënde, mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë! (Atë Giuseppe [Zef] Valentini. M. Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata [1455-1458], faqe 233-234.)
Kjo korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në kryqëzatë, pasi menjëherë pas fitores së Beogradit nga kufomat e shumta, si dhe nga mungesa e ushqimeve shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur dhe Janosh Huniadi më 11 gusht 1456, çka e kishte komplikuar shumë fatin e kryqëzatës së porsafilluar. Kjo ishte arsyeja që Papa Kalisti III, në subvencionet e mbledhura në Dalmaci, urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë, mbretit të Bosnjës, si dhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Mbreti i Hungarisë, Matthias Corvinus (1458–1490) ishte një mbret që nga botëkuptimi i përkiste Rilindjes Europiane, i cili kishte një nga bibliotekat më të pasura në Europë që ia kalonte vetëm ajo e Vatikanit dhe kishte arritur një administrim të përsosur të vendit. Ai ishte një patron i arteve të bukura dhe gjatë kohës së tij, aleancat dhe vizitat e ndryshme të europianëve rritën interesin për Europën në këto territore. Për fat të keq, pas vdekjes së Huniadit, rezistenca hungareze nuk do të jetë aq e fortë sa kish qenë nën udhëheqjen e tij dhe pesha e veprimeve luftarake kundër osmanëve do të përqendrohet në Arbëri e More, ku jeton një numër i madh popullsie arvanitase. Qëndresa arbre do të vazhdojë deri në fund të shekullit XV, çka do të bëjë që inkursionet osmane drejt Italisë të mos jenë të suksesshme dhe në kujtesë e memorien kolektive shqiptare, kjo luftë do të hyjë si “Moti i madh”. Në vitet e Rilindjes Kombëtare, motivet historike, politike e kulturore referuar kësaj kohe do të bëhen motivet kryesore të zgjimit kombëtar dhe së bashku me to dhe të idesë europiane mes shqiptarëve.
Gazeta Shqip, 13.04.2016