FLUVIA SHTEPANI
Rita Petro ishte e ftuar këto ditë në Paris në një mbrëmje poetike me rastin e botimit në frëngjisht të librit “Vrima” nga shtëpia botuese L’Harmattan. Mbrëmja poetike ishte organizuar nga shoqata kulturore franko-shqiptare dhe ishin të pranishëm njerëz të letrave e të artit, francezë dhe shqiptarë që jetojnë në Paris. Profesorja e Akademisë së Versajës, Fulvia Stepani, njëkohësisht dhe moderatore e aktivitetit, solli këtë vështrim kritik mbi librin “Vrima”, si dhe për përkthimin në frengjisht nga Luan Rama.
Poezia e Rita Petros është një “perlë” që zgjon ndjesitë në formën e tyre implicite dhe eksplicite, që çliron energjitë, që i këndon kënaqësisë së parezistueshme të të jetuarit jashtë tabuve dhe konvencioneve morale, që na pushton me dridhma, loja fillestare e çdo lloj forme “tërheqjeje universale”.
Kur e dashuron poezinë, dashuron fjalën. Të pëlqen kur fjalët përshkruajnë aktin e dashurisë, sepse dashuria për fjalët përcjell dashurinë për qenien njerëzore, për erotizmin dhe sensualitetin, që janë motorët e botës. Konsiderohen të tillë që nga shekulli XVI, shekulli marramendës i libertinëve dhe deri në ditët tona. Mallarmé thotë: “Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë”. Ajo është niveli më i lartë i artit të përdorimit të fjalës. Çfarë më mirë se ajo do mund të shprehte emocionet erotike, që janë shkalla më e lartë e emocioneve të “trupit dhe të shpirtit”? Erotizmi është triumfi i ëndrrës mbi natyrën, është skuta më e thellë e shpirtit poetik, sepse mohon të pamundurën. Të mos harrojmë çfarë thotë Emmanuelle Arsan “Truri është organi seksual par ekselence”. Në librin e saj “Vrima”, Rita Petro prezanton seksualitetin në dialektikën dhe sfondin filozofik kompleks të tij, që krijon dhe njëfarë boshti horizontal të të kuptuarit në vazhdimësi. Për t’u theksuar në vepër është trajtimi i seksualitetit në të pesë format e tij (seksualiteti gjenital, ai më i dukshmi; seksualiteti pulsional, kënaqësitë e përditshme; seksualiteti ideal, që përbëhet nga premtime e dëshira të pamundura; seksualiteti i Unit, që manifestohet gjatë ëndrrave; seksualiteti thelbësor, që vendos për veprimet tona). Gérard Bonnet, në librin e tij “Fuqia e parezistueshme e seksit” (Payot, 2012) thotë që seksi dhe erotizmi kanë ekzistuar shumë më përpara se letërsia dhe e kanë shoqëruar atë që nga fillesat e saj deri në ditët tona, pa dallim gjinie letrare. Ndjenjat erotike janë tejet ambivalente. Imazhi që kemi për seksualitetin kërkon një penetrim në shkallën superiore të vetëdijes sonë, për t’u kuptuar dhe për t’u provuar në të gjithë kompleksitetin e tij.
Akti i dashurisë mbart në vetvete të shkuarën dhe imagjinaren, Erosin dhe Antierosin, gjenezën dhe pafundësinë e ndikimit të androgjinisë në eksplorimin e ndjesive të paperceptuara deri më tani. Spontaniteti i gjesteve dhe i ndjesive dashurore është luftuar gjithmonë nga barrierat e krijuara prej kohës dhe moralit, që tradicionalisht e kanë kthyer këtë problematikë në shesh përleshjeje ndërmjet virtytit dhe imorales. Gjenialiteti i poetes qëndron pikërisht në vendosjen e erotizmit jashtë sistemit kartezian, duke e thjeshtuar kuptimin dhe përjetimin e tij. Aty ku dimensionet modelohen, nënvetëdija është në simbiozë me vetëdijen, ku kënaqësitë bëhen “mbret” dhe perceptimet hyjnore. Aty ku jo gjithkush mund të hyjë.
Aty ku André Breton do të thoshte: “Më në fund, fjalët bëjnë dashuri!!!”
Libri “Vrima” duke kaluar në duart e shkrimtarit dhe historianit të shquar Luan Rama, me një shpirt poetik Rimbaud -ian, libri pësoi nje amplifikim narrativ e leksikal që pati efektin e një “tërmeti emocional magjik”, që shumëfishoi kuriozitetin e admirimin letrar, jo vetem tek lexuesi shqiptar, por edhe tek lexuesi francez. Në këtë perkthim, poezia u prezantua si konkvulsioni më sublim i shpirtit…. Pa dyshim, poezitë e librit do të gjenin denjësisht vendin në antologjinë e poezisë erotike franceze ” Éros Émerveillé”.