Poeti Jamarbër Marko botohet gjermanisht në revistën letrare “Lichtungen
Hans Joachim Lanksch
Në bashkëpunim me organizatën “Traduki”, revista letrare austriake “Lichtungen” (nr. 144) sjell një special “Letërsi e re nga Europa juglindore” me tekste nga Shqipëria, Bosna e Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia. Koncepti i specialit është që secili nga këto vende përfaqësohet nga dy penda: një e afirmuar dhe një pak e njohur. Shqipërinë e përfaqësojnë penda e afirmuar e Mira Meksit dhe poeti pak i njohur apo edhe i panjohur JAMARBËR MARKO (përkthyer nga autori i këtyre rreshtave). Madusë (Jamarbrit) i botohen 14 tekste poetike. Kjo është hera e parë që djali i Petro dhe Safo Markos botohet në gjermanisht. Njëkohësisht është vetëm hera e dytë që Jamarbër Marko botohet jashtë Shqipërisë (hera e parë ishte në një antologji të Ardian-Christian Kyçykut në rumanisht (“Un alfabet al poeziei albaneze” – Një alfabet i poezisë shqipe; botuar më 2003 në Bukuresht) me katër poezi të Madusë.
Përveç kësaj duhet përmendur fakti i trishtueshëm se ky poet i shkëlqyer pothuaj nuk merret fare para sysh në botimet e antologjitë e poezisë shqiptare. Nuk di nëse ai përfshihet në antologjinë poetike të Gazmend e Vjollca Krasniqit, përndryshe ai nuk përfshihet në asnjë antologji të poezisë shqiptare. (Turp!).
Fituam luftën, ëndrrën, të bukurën.
Fjetëm të lumtur
E u zgjuam të habitur
Nga kërcitjet e krimbave
Në themelet madhështore.
(Jamarbër Marko)