Si pjesë e projektit “Heroes We Love”, Tirana Art Lab do të mirëpresë një konferencë dy-ditore dedikuar artit të periudhës socialiste në ish-Bllokun e Lindjes në datat 29-30 prill.
Ashtu si edhe në evente të tjera, Tirana Art Lab i qëndron besnike filozofisë së saj në promovimin e artistëve dhe kërkuesve të artit bashkëkohor të Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore, duke u fokusuar mbi procesin dhe kërkimin që qëndron pas proceseve krijuese, të cilat përbëjnë thelbin e saj në kontrastimin e realitetit bashkëkohor neoliberal.
Ndërhyrjet e folësve në konferencë do të evidentojnë dhe ilustrojnë kompleksitetin e konteksteve të “ish-Bllokut”, pas rënies së Murit të Berlinit, dhe perceptimet mbizotëruese në këto kontekste përkarshi artit të së shkuarës socialiste dhe shumëllojshmërisë së tij gjuhësore. Nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve, në eventin e Tirana Art Lab, do të paraqiten perspektiva artistike dhe kritike, që shmangin njëtrajtshmërinë “karakterizuese” të artit të periudhës socialiste dhe sqaron konstruktimin e narrativave bashkëkohore mbi të.
Në konceptimin e eventit të Tirana Art Lab, konstruktimi i narrativave bashkëkohore mbi artin e periudhës socialiste përbën një nyje të veçantë dhe unike, sepse këto narrativa shpesh herë materializohen prej faktorëve dhe aktorëve të huaj, jashtë botës së artit apo edhe jashtë konteksteve të “ish-Bllokut”. Është pikërisht për këtë arsye që folësit e përzgjedhur për këtë konferencë kanë patur dhe kanë një lidhje direkte dhe intime me kontekstet në fjalë, si dhe një eksperiencë të gjatë që eleminon riskun e leximeve dhe interpretimeve ekzotike dhe alienuese.
Folësit e konferencës me ndërhyrjet e tyre do të ngrenë pyetje dhe eksplorojnë përgjigje, pa pretenduar ezaurimin e këtyre të fundit. Pikësëpari, do të ngrihen pyetje mbi subjektivizimin e artistëve shqiptarë në një perspektivë artistike dhe politike dhe produktet e tyre në hapësirën publike dhe jo vetëm, duke hequr disa paralelizma me vendet e tjera të “ish-Bllokut”.
Së dyti, do të hetohen dukuri të gjuhës pamore ku evidentohen ideologjia, propaganda, “fryma” e injektuar dhe e materializuar në veprat e artit të periudhës socialiste si dhe analogjitë e trashëguara në epokën bashkëkohore. Më tej, do të jepet një panoramë e dukurive artistike që trajtojnë kultivimin e ëndërrave dhe maktheve në kontekstet “ish-lindore”, sëbashku me boshllëqet heterotopike dhe heterokronike të tyre. Në mbyllje, rrezja e pyetjeve dhe eksplorimeve do të hedhë dritë jo vetëm në perspektivat e djeshme, por edhe ato të sotme dhe të nesërme, duke mundësuar nxjerrjen e disa aksiomave për interpretimin e realiteteve ish-lindore. Në fund, nëpërmjet këtyre aksiomave, do të ketë përpjekje për të dhënë disa deshifrime të formulës erotike të “figurës së heroit” me të cilin biem vazhdimisht në “dashuri”, duke ripërsëritur qarkun heroik dhe sakral të sakrificës të së përditshmes për hir të së ardhmes.