Nga Gresa Hasa
“Son of Saul” është padyshim një nga filmat më të mirë që kam parë mbi Holocaust-in. Ndryshe nga shumë punime të tjera mbi të njëjtën temë, ky film ta merr vërtetë frymën, duke e paraqitur realitetin brenda kampit të përqëndrimit pa romanticizëm (siç rëndom do t’i pëlqente publikut apo një sërë regjisorëve). Gjithçka ndodh me vrik dhe edhe pse personazhet janë të vetëdijshëm për fatalitetin brenda mureve të kasaphanës, sërish paparashikueshmëria e ndodhive trondit njëlloj siç do të trondiste në mungesë të informacioneve mbi të ligën atje, ndofta më tepër. László Nemes ia ka dalë të përçojë me mjeshtëri horroret e shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë, pa rënë prè amá e zhanrit horror të filmit, duke e udhëhequr dramën fund e krye në mënyrë korrekte. Të xhiruarit e filmit me një lente 40 mm është një gjetje inteligjente. Gjatë minutazhit nuk ia dalim të shquajmë se ç’ndodh përreth pavarësisht se i dëgjojmë tmerret. Kamera është e fokusuar fund e krye tek Saul Ausländer-i (Géza Röhrig). Kjo krijon njëfarë solidariteti me personazhin të cilin e kuptojmë më mirë të portretizuar në ekran kësisoji: Saul-i është detyruar të bëjë njërën prej punëve më të ndyra në kamp, atë të të çuarit të njerëzve të vetë me duart e tij në dhomat e gazit e më pas të të pastruarit të trupave dhe ç’tjetër mund të mbesë prej tyre. Saul-i sheh se ç’ndodh përreth tij po aq sa edhe ne…madje pak më pak se publiku i tmerruar por kurioz. Ai shfaqet krejt pa emocione gati si një robot. Puna…më saktë ndëshkimi i pamerituar që i është vendosur mbi supe si çifut, nuk ia lejon luksin e ndjenjave. Ruajtja e toruas dhe jetës qoftë për një grimë kohë më shumë, vlen më tepër se ngashërimi e për pasojë vdekja (cila vdekje se kur [ata] janë të vdekur për së gjalli?!). Genocidi këtu dëshmohet pothuajse në mënyrë eksperimentale nga eksperienca e një personazhi me të cilin ne, audienca, lidhemi në heshtje, mes gjuhës së trupit të Saul-it e mimikave kaq njerëzore të tij. Paçka se përgjatë filmit gati ndjejmë erën kundërrmuese të kërrmës dhe çdo tingull na ngre peshë, paçka se kjo vepër arti është kaq shqetësuese, Son of Saul është një film optimist, i cili përpos se na edukon për një anë të errët të njerëzimit, na tregon se edhe në periudhat më të errëta në jetë ka gjithmonë vend për shpresë, vend për forcë e vullnet të mirë. I biri i Saul-it s’ish askush veçse vetë Saul Ausländer-i që e kish vrarë fëmijën brenda vetes por gjithsesi kujdesej për të, edhe pse tashmë i vdekur. Fëmija (paqja, çiltërsia, naiviteti) është çfarë mbetet në fund kur gjithçkaje tjetër i është vëndosur kapaku.