Më bëri përshtypje një lajm, që nuk ishte lajm por më tepër disa fjalë të kota për të treguar se këngëtarja dhe përfaqësuesja jonë në Eurovizionin e këtij viti, Eneda Tarifa, ngeci dhe nuk po gjente dot fjalën e duhur në anglisht.
Nëse Eneda do ishte angleze, ndoshta edhe do t’a kuptoja “arsyetimin” e faqes që nxorri këtë lajm, por përsëri, më bën përshtypje se po të njëjtët njerëz që shkruajnë këto lajme, nuk arrijnë që të gjejnë fjalët e duhura në shqip. Përkundrazi, herë pas herë përdorin fjalë italisht, anglisht, serbisht, turqisht ose shpikin ndonjë fjalë të re që nuk gjendet në fjalorin zyrtar shqiptar, vetëm sepse nuk i kujtohet ose ndoshta nuk e dinë fare fjalën në shqip.
Është një fakt që është shumë qesharak dhe që bëhet ende më tepër qesharak, kur mundohen që të shkruajnë për një shqiptare, të cilës nuk po i kujtohej fjala e duhur në anglisht, aq më tepër kur dihet që Eneda di të flasë anglisht shumë mirë se shumë të tjerë nëse Shqipëri dhe ndoshta më tepër se shumë këngëtarë pjesmarrës në Eurovizion.
Por anglishtja e Enedës, nuk është e vetmja gjë që është përmendur në mediat shqipfolëse online. Shkrime të tipit, Eneda ofendon shqiptarët, Eneda ngatërron tekstin e këngës, Eneda tha kështu, Eneda tha ashtu – po përcillen thuajse gati çdo ditë. Titujt e këtyre shkrimeve janë shumë bombastikë po aq sa edhe gënjeshtra. I çuditshëm është dhe fakti se si të flasësh dhe si të mos flasësh, përsëri ngel i keq.
Ne si klub mbështetës për Eurovizionin, na vjen keq të shohim shkrime të tilla dhe natyrisht na lindin shumë pyetje;
– Ku është mbështetja për përfaqësimin tonë? Vendet e tjera, dinë që t’i japin mbështetje këngëve dhe këngëtarëve të tyre, sidoqoftë kënga ose artisti.
– Ku është ajo histeria e vitit të kaluar, ajo mbështetja e fortë që iu dha (me të drejtë) Elhaidës?
– Pse kjo mbështetje nuk i jepet gjithkujt që përfaqëson vendin e tij/saj në Eurovizion?
– Ku janë shkrimet për lëvdatat që i janë bërë dhe po i bëhen këngëtares Eneda Tarifa çdo ditë?
Jo më larg se dje, ish-përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Eurovizionin e vitit 2000, Znj. Nicki French, iu drejtua Enedës nëpërmjet rrjetit social Facebook, me këto fjalë; “Great to meet you last night – and you looked and sounded amazing! Good luck in Stockholm, lovely lady! x” (në Shqip; Kënaqësi që u takuam dje mbrëma – dhe ti dukeshe e ke kënduar mrekullueshëm! Fat të mbarë në Stokholm, vajzë e dashur! x).
Përse jo një artikull për fjalët e kryeredaktorit të Wiwibloggs, i cili tha këto fjalë për Enedën “What you see, is what you get. She has no time for hate. She’s all about music, fashion, humour and love” (në Shqip; Ajo është ashtu si e sheh. Ajo s’ka kohë për urrejtje. Ajo është vetëm për muzikën, modën, humorin dhe dashurinë).
Jo jo, mesa duket një shkrim për reagimin e këngëtares mbi një koment, duket më interesant për të tjerët, sepse ,mesa duket për klikime a për inate personale të pakuptimta, bëhet gjithçka, sajohen miqësira duke u bazuar në dy a tre fotografi dhe shtrembërohet e vërteta aq sa nuk ka ku të shkojë më. Mbështetja e përfaqësueses tonë, duhet t’u kërkohet të huajve, por nga populli Shqiptar, kjo mbështetje duhet të vijë e natyrshme. Eurovision.al/