Nga Sadik Bejko
Të jepet a të mos jepet lënda mbi fenë në shkollat tona të mesme – kjo është çështja. Perifrazova këtë varg të dilemës përjashtuese hamletiane se kështu duket se po ndërtohet debati. Progresistët, të majtët ateistë me traditë të hershme në historinë e shkollës shqipe, janë kundërshtarët më të vendosur të idesë së futjes së disiplinës mbi fenë në shkollat tona. Tezat e tyre janë të ngjashme me një debat të hapur vite më parë mbi mitet dhe rolin e tyre në shoqërinë e sotme. Evolucionistët, sekularët janë me të vërtetë “fetarë” fundamentalistë në këtë pikë. Ose laicizëm, ose rashë e vdiqa, për ta alternativë tjetër nuk ka. Për ta origjina e gjithësisë dhe e njeriut, natyra e gjërave nën këtë diell, natyra e njeriut, problematikat madhore të egzistencës bashkë me mënyrat e zgjidhjes së tyre gjejnë shpjegim vetëm te ateizmi e te sekularizmi. Zelli në risjelljen e tezave të majta, tonaliteti përçmues ndaj fesë, të kujtojnë ato vite kur në Shqipëri rrënoheshin tempujt fetarë. Disa nga këta diturakë që i shkundin nga pluhuri dhe i risjellin në të sotmen teza të tilla janë ish-gjimnazistë nga ata që mund t’i kenë përlyer duart si ikonoklastë, si rrënues ikonash e tempujsh në vitin 1967.
Nuk them se dhe klerikët janë entusiastë. Ashtu siç nuk pritej, klerikët ose kanë heshtur, ose janë kundër. Njëra nga arsyet e kundërshtimit është ajo që dhënia e lëndës mbi fenë në shkolla do të çojë në blasfemi: mësimet e secilit prej besimve që janë ekskluzive dhe përjashtuese për të tjerat, për hir të kompromisit që njihet ndryshe si harmoni apo tolerance fetare do të trajtohen si një alternativë ndër të tjerat, si një besim ndër të tjerët (pastor Albert Kona, gazeta Shqip, datë 18.04. 20016).
Pranohet më mirë laicizmi që si fe shtetërore i përjashton gjithë të tjerat, e degdis secilin besim në tempullin e tij, sesa harmonia fetare që jo fetarisht, por shoqërisht u jep një status barazie gjithë besimeve.
Duke mos e përjashtuar idenë se Kryeministri për leverdi elektorale bën lojëra politike me besimet, prapë jam i mendimit se kjo disiplinë nuk duhet të mungojë në kurrikulat e shkollës sonë. Më pëlqen ideja e hedhur këto ditë në rrjetet sociale për përkthimin e një libri nga ata që e trajtojnë këtë lëndë në shkollat e mesme amerikane. Në SHBA mësimi mbi fetë trajton thelbin e gjithë feve. Kjo mënyrë përkon me shumësinë e feve në Shqipëri. Si fillim një tekst i tillë do t’i kënaqte të gjithë edhe ata që hidhen përpjetë kur u përmend fenë në shkollë, por dhe ata që kundërshtojnë në heshtje.
Mbi dhjetë vjet kam dhënë në Filologjik një kurs mbi qytetërimin. Më pas këto leksione i sistemova në një tekst nën titullin ‘Qytetërime të mëdha’, botim i Onufrit. Aty jepen njohuri për fetë pagane të asirëve, për teologjinë egjiptiane, induiste, budiste, mitologjinë greko-romake, për konfucianizmin dhe për të tri fetë abrahamike: hebraizmin, krishtërimin, islamizmin. Në fund të librit ka një fjalor mbi termat kyçe të të gjitha besimeve që trajtohen.
Në fund të kursit, (ky tekst shërbeu dhe për studimet master te fakulteti i Gjuhëve të huaja) studentët pyesnin se cilit besimi i përkas. Kjo pyetje ishte e natyrshme se me të njëtin përkushtim trajtoja njohuritë mbi cilindo besim dhe se nuk jepej teologji, transhendencë, mister, praktikim besimi, jepeshin njohuri mbi bazën e kategorive përkatëse, e terminologjive konceptuale si për çdo fushë tjetër të dijes.
Këto dije sjellin universalizimin e urisë dhe të instiktit fetar në shekuj, dinamikën e lindjes së ideve fetare krahas strukturimit të tyre hierarkik sipas shoqërive. Çdo fe i mjafton vetvetes dhe besimtarëve të saj, por dijet mbi fetë janë të rëndësishme për të gjithë. Ato tregojnë shumë mbi popujt, kulturat, mbi qytetërimet në larminë e tyre, mbi historinë e së mbinatyrshmes dhe mbi personazhet e mëdhenj fetarë, të cilt kanë bërë historinë e njerëzimit (u kanë dhënë emrin e tyre epokave) më mirë sesa shtetarët a gjeneralët e mëdhenj. Këto dije të pasura e të çmura janë të denja për t’u mësuar në shkolla mbi bazën e trajtimit disiplinar, shkencor.
Historitë e figurave të feve kanë frymëzuar shkrimtarë të mëdhenj botërorë si H. Hese (Sidharta), Kazanxaqi (Tundimi i fundit), T. Man (Jozef), J. Saramago (Ungjilli sipas Krishtit). Solla libra që mund të jenë blasfemikë, por ka dhe shumë poezi e prozë botërore që nuk mund të kuptohet pa një taban njohurish mbi religjonet. E gjithë historia e artit të madh botëror është e ngritur mbi parimin e Krijimit, mbi lindjen prej së mrekullishmes. Këtë e sheh në tempujt egjiptianë, në katedralet italiane, në Luvër…
Nga ana tjetër, në këtë vend me shumë probleme që nuk mbarojnë, ka uri fetare. Mjafton të vëresh se sa njerëz shkojnë e kërkojnë shpëtim te gjithfarë fetarësh e gjysmë fetarësh, të vëresh pelegrinët te kisha e Laçit, te mali i Tomorit, pelegrinë që janë nga të gjitha besimet. Këtë uri a këto instikte fetare mbase bëjmë mirë t’i pajisim me ca njohuri racionale mbi besimet. Në këtë pikë do të thosha se sekularët tanë nuk i ndalojnë dot njerëzit me smartfonin më të fundit që të shkojnë te Kisha e Laçit, nuk e ndalojnë dot atë fshehtësi të natyrës njerëzore, atë që njeriu njëherësh mund të jetë modern, të jetë i arsimuar në shkallën më të lartë të së sotmes e prapë të ketë nevojë për praninë e besimit në jetën e tij.
Një argument tjetër është se institucionet e besimeve tona nuk e kanë thithur nevojën, urinë për besim të njerëzve tanë. Të rinjve u pëlqen që jo vetëm të praktikojnë, por edhe të mësojnë, të lexojnë. Biblën, ungjillin, për traditë tek ne e ka përkthyer Shoqëria Biblike, por klerikët e kishave “të tjera’ nuk ua sugjerojnë këto botime besimtarëve të tyre. Në katekizmat a librat e praktikimit fetar që përkthehen prej gjuhës nga është e orientuar hierakia klerikale përkatëse, ka shumë shprehje mospëlqimi e deri përçmimi për besimin tjetër. Kjo për vendet nga përkthehen tekste të tilla mbase nuk ka problem, por te një larmi besimesh si tek ne ngjall ndjenja negative. Jo vetëm që nuk lexohen librat bazë të besimit, por në praktikë u vihen bërrylat në brinjë besimeve të tjera. Te klerikët myslimanë profesioni është bërë i trashëgueshëm: i biri i shehut, i nipi i babait, i hoxhës bëhen pasardhës të etërve. Në këto raste arsimimi vjen i fundit. Rëndësi ka leverdia e profesionit dhe praktikimi i besimit ‘siç e ka thënë e bërë baba’. Në një klimë të tillë gjërat kanë ndryshuar jo për mirë. Sot te adoleshentët e të rinjtë ngarkesat e negativitetit për tjetrin janë shtuar. Në vitet ’90, në fillimet e ringritjes së institucioneve fetare, myslimanët ndihmonin në ngritjen e kishave dhe të krishterët të xhamive. Sot, pas një çerek shekulli jemi në një largësi që mund të thellohet.
Nuk është e thënë që problemet që u parashtruan më lart, mund të zgjidhen me futjen e disiplinës mbi fetë në shkollat tona. Shteti nuk ndërhyn në punët e feve, në organizimin, në kanonet dhe në praktikat e shërbesave të tyre. Shteti ka për detyrë që t’i arsimojë shtetasit e tij. Feja është një ndër displinat shkollore dhe akademike nga më të vjetrat në arsimin evropian dhe nuk ka pse t’i mbyllet dera e shkollave tona.