Pas rrëfimit të Bleona Qeretit në “Zonë e Lirë” për jetën e saj dhe familjen ka reaguar Mit’hat Havari.
Ai ka sulmuar këngëtaren duke thënë se babai i saj ka qenë një xhelat.
Ish-drejtori i policisë së Tiranës thotë se babai i Bleonës ka dërguar dhjetra të rinj shqiptarë në burgje.
“Bleona Qerreti ishte tek Arian Çani mbrëmë. Ajo deklaroi se babai i saj ishte oficer dhe se e kishin nxjerrë nga puna pas ‘92-shit. Më vonë takoi Sali Berishën president dhe ia ktheu të atin në punë. Vajza nuk thotë se babai i saj nuk ishte oficer i thjeshtë, por ishte zëvendëskryetar i Degës së Brendshme që mbulonte Sigurimin e Shtetit në Elbasan deri në rrëzimin e diktaturës, ku sigurisht mbaroi dhe parajsa e pushtetit të Nazmi Qeretit.
Në arrestimet e djemve të nënave shqiptare që kundërshtonin regjimin komunist dhe që mbushën burgjet e Spaçit, Burrelit, Qafë Barit etj., kontribuues ishte dhe babai i Bleonës, përfshi dhe arrestimin tim, që lidhet direkt me Nazmi Qeretin, bile nën kujdesin e tij. Sigurisht, ajo nuk mban asnjë përgjegjësi për ç’ka bërë i ati i saj, ndaj po jeton ëndrrën e demokracisë, ëndrrën amerikane, por, miqtë e mi, ‘dardha bie nën dardhë’, thotë populli.
‘Sali Berisha më ndihmoi për babain, – tha ajo, – e respektoj, por Edi Rama është kryeministër i shkëlqyer, fat për Shqipërinë. Donald Trampi më ndihmoi, por unë do votoj Hilari Klinton’.
Është e bija e babait, ajo shkon në origjinën e saj. Normale! Në fakt unë asnjëherë nuk kam dyshuar për këtë gjë, jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për histori ‘xhaketëkthyerish’ e më gjerë. Thjesht ishte një refleksion nga ana ime, kujtesë në lidhje me të tashmen dhe të shkuarën jo shumë të largët!”, shkruan Havari