“Një lider me vizion, që kërkon të ndërtojë për vendin e vet themelet e zhvillimit ekonomik dhe modernizimit”. Kështu e vlerësoi Gayle Smith, administratorja e USAID-it Kryeministrin Edi Rama.
Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Washington, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në zyrat qendrore të USAID, ku u takua me Administratoren e Përgjithshme të agjencisë me të madhe shtetërore të ndihmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Rama e njohu Smith me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe kërkoi nxitjen e bashkëpunimit dhe rritjen e mbështetjes nga ana e USAID-it për qendrën rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm që do të ndërtohet në Tiranë, si edhe vazhdimin e modernizimit të shërbimeve publike në Shqipëri, si një mënyrë efikase për të luftuar korrupsionin.
Administratorja Smith e falënderoi Kryeministrin shqiptar për angazhimin e deritanishëm të qeverisë shqiptare, si dhe dha mbështetjen e plotë të USAID për projektin e futjes se kurrikulave edukuese mbi besimet fetare në programet e shkollave.
“Kjo nismë është diçka tepër e zgjuar”, tha Smith. “Nëse brezi i ri, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, do të jetë i edukuar mbi besimet fetare, do të jetë shumë më e vështirë për të rënë pre e manipulimeve ekstremiste, çka sot për sot është një problem madhor kudo, përfshirë edhe Europën”, shtoi ajo.