KOSTIS PALAMAS (1859-1943)
Shpirtin ma rrahin frika, përdëllimi,
ashpër e thur tragjiku tragjedinë,
Karonti kosit. Më avit mendimi
mu ku flakur mbi njëri-tjetrin rrinë,
në brigje lumenjsh e male me borë,
a të diellit duke pirë zagushinë,
ushqim për korbat, do kurme të gjorë.
O të vdekur, varrosur pa kungatë,
mendimesh ju takoj unë orë pa orë;
me dhimbje, me respekt e përgjëratë,
deshë të therur, islamë a të krishterë,
në t’ epërmin altar ju jap uratë.
Berra të idesë, të ndershëm e të ndjerë,
heronj të atdheut, dhe ju, o të nënshtruar,
të mbytur në terr, ku zvarriteni përherë
verbërisht, me këmbë edhe me duar,
pas padronësh, bekim, dhe prehje, lotë.
Lutem. Ndez temjan, qirinj të shuar,
për ty, Shën Mëri e paqes në botë.
Përktheu Romeo Çollaku