
Kjo ka qenë deklarata e drejtoreshës së Shkollës së Baletit në Tiranë, Blerina Arbana pas vizitës së bërë aty nga balerini Hektor Budlla. Ajo tha se Shkolla e Mesme Kombëtare e Koreografisë, si e vetmja shkollë specifike në llojin e saj në Republikën e Shqipërisë ka disa probleme emergjente, të cilat dëshirojmë t’ua bëjmë prezent, pasi gjendja aktuale e tyre kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
“Riparimi i tarracës. Gjendja e saj është shumë e rënduar dhe gjatë zhvillimit të procesit mësimor u shkëput një pjesë e saj duke rrezikuar jetën e nxënësve dhe tani, sa herë bie shi, ujin e mbledhim me kova”, ka thënë Arbana duke shtuar edhe se “Sistemi i ngrohjes (kaldaja), nuk funksionon. Nxënësit punojnë me uniformë baleti dhe ngrohja është e domosdoshme, pasi muskulatura nuk mund të punojë në këto kushte”.
Po me rëndësi sipas saj është edhe riparimi i parketeve të sallave të baletit, pasi është bërë pothuajse i pamundur zhvillimi i orës mësimore në këto salla, duke patur dhe incidente të ndryshme te nxënësit. Në fund ajo ka shtuar se “Statusi Kombëtar i shkollës sonë, është një status i cli është vendosur që në krijimin e saj. Si shkollë e vetme në Republikën e Shqipërisë, ky status nuk mund të ndryshohet. Sepse përzgjedhja selektive e nxënësve bëhet në rang republike dhe jo në rang rrethi. I vetmi ndryshim që duhet bërë, është ndryshimi i emërtimit nga shkollë koreografike në Akademi, sepse shkolla jonë është në kërkim, zbulim dhe studim të talentit dhe luan rolin e një laboratori ku latohet dhe perfeksionohet talenti dhe pas përfundimit të kësaj shkolle, nxënësi bëhet balerinë profesionist i aftë për tregun e punës, ashtu si të gjitha shkollat homologe në botë”.