Anastas Kostandini/ “Pasqyrë e thyer”-Ballafaqim me dramën personale të artistit të izoluar

Piktori Anastas Kostandini ka çelur në galerinë FAB ekspozitën “Pasqyrë e thyer”. Në marerialin prezabtues të autorit thuhet se kjo ekspozitë gjen frymëzimin në imazhin intim dhe poetik të pasqyrës së thyer, një lloj kaleidoskopi që thith e reflekton botën përreth dhe krijon një trill vizual ritmik.
Autori thotë se forma të destrukturuara superpozohen mbi baza figurative dhe realiste, që bëhen pre e kësaj loje por që qëndrojnë gjithsesi të lexueshme nëpërmjet filtrave gjeometrikë. Loja ka për qëllim të vërë në pikëpyetje krijmtarinë «tradicionale» të artistit (peizazh, kompozime, natyra të qeta, figura njerëzore…) nëpërmjet denatyralizimit dhe transformimit të teknikave dhe motiveve klasike të tij. Artisti duket të insistojë qëllimisht në karakterin grafik për t’i dhuruar pikturës një strukturë e dimension të ri.
Këto tablo të «përmbysyra» sipas autorit, nuk janë tjetër veçse punime të konsideruara si të papërfunduara apo të papërfundueshme. Ato i nënshtrohen një metamorfoze të zellshme, gjatë së cilës artisti aplikon një sërë ndërhyrjesh teknike për të krijuar një filtër opak në shikim të parë, por të lexueshëm për spektatorin gërrmues. Ai ndez kuriozitetin prej arkeologu të cdonjërit prej nesh duke na ftuar të zbulojmë në thellësinë e shtresave të veprës së tij.
Në vitin 1967, gjatë revolucionit kulturor që merrej ndër të tjera me shkatërrimin e institucioneve të kultit, Taso 13 vjeçar asistoi në shkatërrimin e kishës së qytetit të tij.
Prej shandanit të kristaltë të hedhur përtokë ai mblodhi copa që i shërbyen si kaleidoskop për të observuar dhe idealizuar realitetin. Pasqyra e thyer transformohet në një filtër magjik mbi botën dhe shërben gjithashtu si një urë lidhëse midis artistit dhe historisë së familjes së tij.Një pasqyrë e thyer e trashëguar brez pas brezi. Një lloj album familjeje, objekt afektiv dhe frymëzues, në të cilin pasqyrohen figurat e personave të dashur, që vijnë, ikin e nuk kthehen më.
Pasqyra si një kufi midis dy botëve, të prekshmes dhe imagjinares. Pasqyra si një terren narcizik. Pasqyra si ballafaqim me veten dhe dramën personale të artistit të izoluar në qytetin e tij të vogël, temë tepër personale e punes së Tasos. Pasqyra reflekton raportin e ndërlikuar dashuri-urretje që artisti ka me vendlindjen e tij. Besnikëria ndaj qytetit, shpërblehet me avantazhin e qetësisë krijuese por zymtësohet nga thatësira intelektuale që ofron provinca shqiptare.
Pasqyra e thyer, është një lloj metamorfozë poetike, e nevojshme për t’ju përgjigjur jo vetëm kërkimeve artistike të artistit, por edhe dëshirës dhe kuriozitetit fëmijënor për të magjepsur dhe per t’u magjepsur vazhdimisht nga bota që na rrethon duke e observuar dhe rindërtuar.
Ekspozita prezanton 40 punime në vaj, në formate që variojnë deri në 150 x 150 cm. Tablotë unifikohen rreth konceptit mbi të cilin janë krijuar dhe me pas transformuar, pavarësisht se nuk janë pjesë e një cikli të mirëfillte. Pasqyra e thyer është kapitulli i tretë i një cikli mbi jetën në provincë. Wine Day inaguroi këtë cikël në 2006 në GKA, i ndjekur nga Mikropolis në 2012 në FAB.
received_10154272512807044

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *