“Projekti i ri teatror në Teatrin Kombëtar është një vepër e vënë në skenë nga vetë drejtori i institucionit. Babëzi e madhe për famë apo për lek? Edhe drejtor, edhe regjisor por edhe aktor”. Ky ka qenë reagimi që ka postuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, aktori Jul Deda, duke ju referuar shfaqjes “Tri motrat” e Çehovit që vihet në skenën e Teatrit Kombëtar nga Hervin Çuli, në datën 15 janar.
Më tej, Jul Deda këshillon:“Hapini rrugë edhe ndokujt tjetër more, se latë nam. Bëhuni pak më bujarë. Ka Shqipëria regjisorë dhe aktorë të shkëlqyer, të cilët presin rradhën për t’u ushqyer me këtë profesion. Po kush të lë?! Monopol edhe në teatër? S’kishte ndodhur ndonjëherë. Urime, integrime,dramatizime..!”
Dje “Pasqyre.al” shkruante se drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, ka vendosur të “zhveshë” kostumin e drejtorit për të hedhur krahëve kostumin e regjisorit. Me skenografi të Kristo Çalës dhe kostume të Berina Kokonës, në të interpretojnë Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj, Elia Zaharia, Anila Bisha, Gert Ferra, Helidon Fino, Gladiola Harizaj.
Çuli, që prej ardhjes së tij në krye të TK-së, nuk i ka qëndruar larg skenës. Nëse vitin që shkoi u ngjit në skenë me rolin e Maratit tek “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” me regji të Arben Kumbaros, këtë vit, ai e nis me një pjesë ku regjia është e tija.
Gjatë vitit, në skenë do të vihen pjesë nga Pirandelo, Shepard, Shekspir, Havel, Aristofani; me regji të Driada Dervishit, Kastriot Çipit, Elma Dorezi, Mehmet Xhelili e Spiro Duni. Paralajmërohet që për këtë shfaqje, teatri ta presë publikun me ambjente te ngrohta pasi pritet të vihet në punë një kaldajë e re.( Pasqyre.al)