Shkollat shqiptare do të trajtojnë dhe çështjen e feve nē programet e tyre. Ka qenë kryeministri Edi Rama që e ka lajmëruar projektin.
“Unë e përshendes dhe si kryeministër jam krenar për komunitetin mysliman shqiptar. Një komunitet që në çdo moment ka luajtur një rol paqtues për kombin tonë dhe një komunitet që sot e mbështet plotësisht projektin tonë të ri për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat, por edhe për fenë”.
Deklarata u bë në Pallatin e Kongreseve, ku Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, organizoi programin artistik, “Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të – Krenaria e Njerëzimit”. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor dhe Kulturor “SEMA”, organizuan për të njëmbëdhjetin vit radhazi, programin festiv në përkujtim të figurës më të lartë të njerëzimit, Profetit Muhamed a.s. Në këtë organizim festiv, i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, përfaqësues të bashkësive Islame të Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, politikanë, ambasadorë të akredituar në Tiranë, akademikë, shkrimtarë, artistë dhe përfaqësues të botës së artit dhe kulturës nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare.
Sipas Ramës projekti nuk cënon laicitetin, por forcimin e themeleve të kulturës laike që për momentin kërcënohet nga ekstremizmi i dhunshëm.
“Ky projekt konsiston jo në cënimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm apo ekstremizmit me kostum e kravatë nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre ndaj tundimeve të mëdha që joshin dhe që kthejnë në xhihadizëm vajza e djem pikërisht se mungojnë këto instrumenta”.
Kryeministri bëri me dije se puna do të fillojë me një numër të caktuara shkollash në zona rurale e urbane, në bashkëpunim me ekspertë nga të huaj.
“Do fillojmë me një numër shkollash në zona rurale e urbane, dhe do bashkëpunojmë me shkolla të mirënjohura europiane, kemi thirrur ekspertë të Perëndimit dhe do bashkëpunojmë falë teksteve duke nisur nga observatori i laicitetit në Paris dhe deri tek komunitetet fetare tona në Shqipëri. Mësuesit do trajnohen që nga mënyra e të folurit etj…”
Rama tha se “nuk duhet të harrojmë, se çdo popull e bën vetë fatin e vetëm dhe ajo çfarë na kanë lënë të parët, që ajo që na kanë lënë të parët ne duhet ta promovojmë tek brezat e ardhshëm dhe ata ta transmetojmë e ta ruajnë si sytë e ballit”.
“Të luftosh ekstremizmin e dhunshëm nuk mjafton të çosh ushtarë në front se nuk është beteje që fitohet përmes armëve, por luftë që fitohet përmes mendjes e zemrave të të rinjve në mbarë vendit”.