Plasari e Demi përplasen për çamët/ Studiuesi: Zerva ishte shqiptar- gazetari: Sa ç’je ti grek!

Studiuesi Aurel Plasari dhe gazetari Enkel Demi janë përplasur për çamët. Ka qenë i pari Plasari që në vijim të një deklarate të Shpëtim Idrizit drejtuar ministrit të jashtëm Ditmir Bushati ka thënë se “sfida e Idrizit, që asnjë çam nuk ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit, nuk është e vërtetë. Do një emër, është Napoleon Zerva”, ka thënë Plasari. Por më tej ka reaguar Enkel Demi i cili ka thënë se Zerva po është po aq shqiptar sa ç’është grek Plasari.

Deklarata e Plasarit
Në duart të kujt ka rënë “çështja çame” dhe Kuvendi i Shqipërisë

Gjithë kapadaillëk tipik për injorantët deputeti, njëherësh krye i PDIU-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e paskësh sfiduar ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme me fjalinë bombë kalamajsh: “I thuaj Nikos Kotzias që të gjejë një fotografi të vetme të ndonjë çami me ndonjë nazist dhe unë po të them se do t’i jap foton e Napolon Zervës me nazistët”! Shkurt fjala: bast për një “foto të një çami me nazistët” përkundër një “fotoje të Zervës me nazistët”. Por si i bëhet që një çam është pikërisht krimineli Napoleon Zerva, madje suliot i pastër? (Alexandros L. Zaousēs, Hetairia Meletēs Hellēnikēs Historias. Οι δύο όχθες, 1939-1945: μία προσπάθεια για εθνική συμφιλίωση, Ekdoseis Papazēsē, 1987, f. 110). Pra: një foto e Zervës me nazistët është pikërisht një foto e një çami me nazistët. Quod erat demonstrandum: Çka duhej vërtetuar.

Reagimi i Enkel Demit
Napolon Zerva është shqiptar, sa është Aurel Plasari grek

Napolon Zerva është një nga figurat më të errëta në historinë moderne të Ballkanit. Pa dyshim që vepra e tij është krejt e krahasueshme me atë të Sllobodan Millosheviçit, ndërsa kohët e zhvillimit janë të ndryshme. Me foto, fakte, arkiva është e vërtetueshme që Napolon Zerva bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore, udhëhoqi pastrimin etnik ndaj popullsisë hebre dhe shqiptare të viseve të Çamërisë, është një nga drejtuesit e luftës civile greke dhe më pas gëzoi në qeveritë e pasluftës portofole ministri.
Profesor Aurel Plasari nuk është i vetmi që zbulon në rrënjët e tij suliotin e Shqipërisë, pra e konsideron Napolon Zervën shqiptar. Në fakt, nuk kemi asnjë gjurmë në jetën e tij që e dinte gjuhën shqipe, e shkruante apo këndonte “Tumankuqen”, kur ishte çakërqejf. Ka kryer një veprimtari mirëfilli spastrimi etnik ndaj shqiptarëve dhe nuk ka patur pikën e brejtjes së ndërgjegjes për këtë. Ka qenë më shumë se gjakatar, kur janë vrarë prejt tij në Parimithi gra, fëmijë, madje foshnje në barkun e nënës. Të gjithë këtë veprimtari e ka kryer në emër të helenizmit dhe pa dyshim ëndrrës së Vorio Epirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *