Nga Dorian Koçi
Francois Pouqeuville kishte studiuar për teologji, por shpërthimi i Revolucionit Francez e bën që të ndërpresë studimet në seminar dhe të vazhdojë studimet në mjekësi. Ai ishte pjesëtar i ekspeditës shkencore franceze në Egjipt dhe i tërhoqën vëmendjen profesionet e tjera si gjeologji, etnografi, etnopsikologji, histori të disa popujve të Ballkanit, veçmas të grekëve dhe të Greqisë.
Pouqeuville për afër nëntë vjet qëndron pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (mars 1806-shkurt 1815), si konsull i përgjithshëm frëng, kohë në të cilën shkruan dhe veprën e tij të madhe “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane” .” . Përveçse shënimeve historike, diplomatike e kulturore ai ka lënë dhe disa përshkrime rreth femrës shqiptare, të cilat i shikon si amazona moderne. Përshkrimi sa i përgjigjet realitetetit po aq ka dhe ngjyrime orientalizmi.
“Armëmbajtëse tek Skipëtarët e Drinit, vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë tregojnë se ato janë bashkëshortet dhe nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar me rreziqet, që po aq sa nuk njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vetë vdekjen si të mos ishte gjë. Kur shtegtojnë, me brezin gjithë pisqolla, shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë a për shoqet e veta… I sheh në luftëra kur vatra atërore kërcënohet, amazona të reja tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin këta për të bërë kërdinë. Të krishtera apo muhamedane, asnjë prej tyre nuk mban perçen e sajuar nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i kushtohen një familje të shumtë..