Dr.Flori dhe Kanali i Panamasë

Nga Enkel Demi


Si çdo popull në botë, edhe shqiptarët kanë njerëz të këqinj. Kohët e fundit ata janë më të dallueshëm, sepse liria e të shprehurit, falë teknologjisë na i ka kthyer në gazetarë, opinionistë, kritikë arti, komentatorë mediatikë, prokurorë, gjykatës, qyfyrexhinj.

Blerina, një zonjë grua, shumë punëtore, e cila duhet ta përballojë jetën me dy fëmijë të mitur, ka më shumë se një vit që nuk përkulet, por përballet me sfidën e jetës. Askush nuk do e njihte, a do e vriste mendjen për të, nëse bashkëshorti i saj nuk do qe i famshëm. E pashë të mërzitur, të lodhur, pse jo nervoze jo kur i ndodhi hataja në shtëpi, por tani, pasi qeveria i dha një pension për të dy fëmijët. U quajt “special” si pension, por janë një vajzë dhe një djalë, ky i fundit me sindromën down. I menjëhershëm reagimi i vëzhguesëve, bjerraditës të rrjetit. Dr. Florin e paragjykuan, megjithëse ka ikur prej kohësh nga rrjeti dhe jo vetëm. Paragjykuan Blerinën, e cila bën të paktën dy punë në ditë dhe në fund fëmijët e saj. Për ta ngarkuar edhe më situatën sollën për shembull raste fatkeqësh të tjerë apo të Kristi Mazes së gjorë. Shkuan deri aty sa pyetën a do e merrnin këtë pension fëmijët, nëse nuk do ishin të Dr. Florit?

Mjeranët, të poshtrit, burimi i gjirizit të rrjetit e dinë që po degjenerojnë një të vdekur, dy bonjakë, vetëm pse e kanë inatin me gjithkënd, pasi tek e fundit Dr. Flori është i njohur dhe çoç ka bërë në jetë, kurse anonimi, askush do mbetet, ndaj tekonologjia po i shpëton nga barra e rëndë e të panjohurit.

Nuk kanë marrë ata fëmijë pension të diferencuar, sepse janë dy dhe djali ka nevojë për terapi të veçanta, të cilat prindërit me fëmijë me sindromën down i dinë fort mirë. Blerina duhet ta ulë sërish shpinën në punë, sepse ka dy fëmijë për t’i rritur me dinjitet, ka një shtëpi për të mbajtur, të cilën meqë ra fjala nuk e ka as të sajën. Edi Rama, thjesht e nxitoi një pension që fëmijët do e merrnin. Ermal Mamaqi nëse ka bërë ndonjë punë të paqme, ishte që ju ngjit Ramës me bukë në trajse.

A duhet t’ia nxjerrim sytë qeverisë për fëmijët e tjerë hallemëdhenj, fatkeq, të sëmurë? Pa dyshim. Pa ndalesë, pa drojë, pa skrupuj, por jo në kurriz të dy fëmijëve të tjerë që janë si drita.

Në fund të fundit, Dr. Flori nuk la ndonjë llogari në Panama, se me siguri Blerina do ishte kaluar, ndaj këta të profesionit “mallkues” le të hapin petët e lakrorit që u gatua në Kanalin e Panamasë, nëse kanë të ndenjura kuptohet./ 27.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *