Shënim/ Për të indinjuarit e pensionit me “mik”, për familjen e Dr.Florit!

Pas lajmit se qeveria Rama ka akorduar një pension të veçantë për familjen e këngëtarit të ndjerë, Dr Flori, i cili vdiq gati dy vite më parë, siç nuk pritej, ka vërshuar një kundërshtim pse iu dha kjo ndihmë financiare.
Fantazia e shumë njerëzve që bëjnë opinion për çdo gjë në blogjet e tyre, thotë se kjo është e padrejtë dhe se ky pension është dhënë me mik.
Shqyqyr Zotit nuk na ka lënë akoma kujtesa dhe i mbajmë ende mirë mend komentet e po këtyre njerëzve, kur Ermal Mamaqi i kërkoi ndihmë për familjen e këngëtarit, kryeministrit Edi Rama, në emisionin e tij “6 ditë pa Ermalin”.
Komentet ishin nga më të llojllojshmet, ku akuzohej Rama si inatçor, se ai e urrente këngëtarin që bëri këngën “Zemërthyer” kundër tij, etj. E quajtën këtë qeveri të pashpirt, që nuk ndihmon një familje në pamundësi financiare, ku e veja e këngëtarit mbi të gjitha duhet të kujdeset për një fëmijë me Sindromën Down etj. Sot që u dha lajmi, sheh komente po aq të pashpirt, se pse familja po ndihmohet.
Ka shumë gjëra që nuk shkojnë me këtë shoqëri, por të indinjohesh se pse po ndihmohet familja e artistit të ndjerë, kjo është më shumë se e pavend.
Nëse i jepet pension djalit të Dr.Florit, që vuan nga Sindroma Down, mos u shqetësoni se këto lekë, me apo pa mik nuk do ta shërojnë atë. Maksimumi do lehtësojnë nënën e tij, e cila po përballet me vështirësi të shumfishta.
Ajo që mbetet shqetësuese është urrejtja që përcillet në një rast specifik si ky, por që sigurisht të ngjashëm ka plot në Shqipëri.
Por ka dhe një diferencë në rastin e ndihmës për familjen e Dr.Florit e ajo ka të bëjë me kontributin e tij në skenë.
Vallë i detyrohemi diçka, apo njerëzit në këtë vend vlejnë vetëm përsa kohë u shërbejnë delireve tona partike?
Kujtohuni për Dr.Florin, për këngët e tij që u kanë frymëzuar, qoftë kur këndonte me Edi Ramën e qoftë kundër tij.
Pastaj fajësojeni pse vdiq nga overdoza apo se i hyri mik Edi Ramës nga përtej varrit për këtë pension!
Pas kësaj mund edhe të krijojmë një lëvizje shoqërore me thirrjen: Nëse nuk i ndihmojmë dot të gjithë, të mos ndihmojmë asnjë. PASQYRE.AL


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *