Diskutimi publik i munguar për dhënien e monumenteve me qira

Erion Tase

Udhëzimi i publikuar ditët e fundit për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të Kulturës ka rikthyer në vëmendje një problem të përsëritur në Ministrinë e Kulturës. Pavarësisht reagimit publik të ministres Kumbaro për të qetësuar ujërat, mbeten ende disa çështje, të cilave ajo nuk u ka dhënë përgjigje dhe ngjallin shqetësim për fatin e mëtejshëm të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Së pari, udhëzimi i Ministrisë së Kulturës është bërë në mungesë të plotë transparence, duke mos përfshirë grupet e interesit, por mesa duket edhe ekspertizën e vetë institucioneve të tjera publike.

Meqenëse ministrja Kumbaro gjen shembuj mbi këtë udhëzim nga vendet evropiane, ndoshta duhet të zbatojë këto praktika të mira edhe përsa i përket detyrimit të konsultimit publik gjatë hartimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore. Bashkimi Evropian, ku kemi marrë tashmë statusin e vendit kandidat dhe Këshilli i Evropës, pjesë të cilit jemi, e kanë zyrtarizuar prej vitesh detyrimin e konsultimit publik gjatë procesit legjislativ nëpërmjet manualit të “Kritereve të përgjithshme dhe standardeve minimale të konsultimit të grupeve të interesuara” ( ) si dhe “Kodi i praktikës së mirë për pjesëmarrjen civile në procesin e vendimmarrjes” ( ). Në rastin e udhëzimit të ministres Kumbaro nuk ka pasur asnjë informim paraprak, edhe pse dihej se sa reagim qytetar kishin shkaktuar vendimet e paraardhësve të saj gjatë qeverisë “Berisha”.

Duke ditur këtë situatë, dhe nëse do të dëshironte të evitonte ato që i cilëson si “keqkuptime fejsbuku”, Ministria e Kulturës duhet detyrimisht të hapte një diskutim të gjerë me të gjithë aktorët dhe shoqërinë civile. Së dyti, përvoja e deritanishme ka treguar se këto modele partneriteti me privatët nuk kanë qenë pozitive. Rasti i kalasë së Petrelës dhe asaj të Lëkurësit kanë qenë prova më e mirë se deri ku mund të arrijë babëzia e privatëve dhe mungesa e një kontrolli profesional nga institucionet shtetërore. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, të njëjtin dështim dhe pafuqishmëri për të menaxhuar këto kontrata me privatët kanë dëshmuar për fat të keq edhe institucionet që drejtohen nga zonja Kumbaro. Si rrjedhojë, këto institucione publike (Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare apo edhe Bashkitë, si administruese të territorit nuk e zotërojnë ende ekspertizën profesionale dhe besueshmërinë e duhur se do menaxhojnë më mirë në një të ardhme të afërt këto kontrata qiraje me privatët.

Si rrjedhojë, përpara se të biem sërish në gabimet e së kaluarës në shfrytëzimin e monumenteve, duhet të siguroheshim se janë ndërtuar strukturat e duhura me integritet profesional dhe përgjegjësi morale e ligjore për të mbrojtur monumentet e trashëgimisë sonë kulturore e historike. Ministria e Kulturës duhet të kishte përgatitur terrenin e duhur për formimin e menaxhuesve publikë dhe krijimin e strukturave kontrolluese publike të këtyre partneriteteve me privatin, përpara se një tjetër monument të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi garancitë e duhura se fati i kalave e monumenteve të tjera me qira do të jetë më i sigurt në duart e privatëve se të atyre që janë mandatuar nga ne apo paguhen nga taksat tona.

Do të kemi më tepër garanci se trashëgimia historike e shqiptarëve nuk do të varet nga emri i ministrit në detyrë, drejtimit politik të privatit, që e menaxhon objektin apo edhe muskujt e krimit të organizuar, që nuk ka kursyer edhe këtë sektor. Ashtu siç i pëlqen të përsërisë shpesh edhe kryeministrit Rama, duhet të krijohet sistemi i duhur që njerëzit të mos rrëshqasin nga rruga e drejtë. Me këtë nxitim të Ministrisë së Kulturës për të ftuar privatët në menaxhimin e monumenteve, është harruar mesa duket të forcohet sistemi, i cili do të kontrollojë njerëzit që të mos dalin nga hullia e duhur. Për fat të keq, ministrat dhe qeveritë mund të ndryshohen, ndërsa trashëgimia është e pakthyeshme.

* (Përgatitur në kuadër të diskutimeve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore)
Udhëzuesi i Kritereve të përgjithshme dhe standarteve minimale të konsultimit të grupeve të interesuara – Komisioni Evropian, 2003 – http:/ /eur-lex.europa.eu/legalcontent/ EN/ALL/ ?uri=CELEX:52002DC0704
Kodi i praktikës së mirë për pjesëmarrjen civile në procesin e vendimmarrjes – Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, 2009 – http:/www.coe.int/en/ëeb/ ingo/civil-participation

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *