Presidenti Bujar Nishani, dekreton faljen e Nazime Vishës, e dënuar për vrasje. Falja vjen pas kërkesës zyrtare që Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i bëri pak ditë më parë kreut të Shtetit, ku kërkonte faljen e së resë. Në arsyetimin e dhënë nga Presidenti thuhet se e dënuara rezulton, se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, dhe sipas akteve të Ministrit të Drejtësisë i mbetet për të vuajtur edhe tre vite, e 9 nëntë muaj, e 21 ditë burgimi. Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes, për të dënuarën Nazime Visha, janë mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. “Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen”, thuhet në arsyetimin e Nishanit, i cili dekreton faljen e pjesës së mbetur të dënimit. Nazime Visha u dënua me dhjetë vite burg, e akuzuar për vrasjen e ndodhur në 13 gusht të vitit 2012, kur vrau Fiqiri Muçën, të cilin e akuzon se ka abuzuar seksualisht me të për disa vite me radhë.
Dekret Për falje dënimi
Në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 1.7.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, D e k r e t o j Neni 1 Nazime Beqir Visha, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim nr.567, datë 08.05.2013, me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi me vendimin nr.918, datë 18.10.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, i falet pjesa e dënimit të mbetur. Neni 2 Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekretit 9488 Tiranë, më 25.03.2016 PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI Arsyetim i Dekretit Mbështetur në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, vendosa të shqyrtoj kërkesën dhe dokumentacionin ligjor, për faljen e të dënuarës Nazime Beqir Visha, paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, së bashku me propozimin e tij, për pranimin e kësaj kërkese ( Nr.1345/4 prot, dt.26.02.2016). Nga dokumentacioni rezultoi se kërkuesja Nazime Beqir Visha është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim nr.918, datë 18.10.2013. E dënuara rezulton, gjithashtu, se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, dhe sipas akteve të Ministrit të Drejtësisë i mbetet për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzetenjë) ditë burgimi (data e llogaritjes deri më 17.02.2016). Në llogaritjen e vuajtjes së dënimit janë konsideruar dhe uljet e dënimit të fituara nga paraburgimi, nga ligji nr. 8328 , datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar si dhe nga ligji nr.22/2014 “Për dhënie amnistie”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes, për të dënuarën Nazime Beqir Visha, kam mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen. Për të gjitha këto arsye vendosa që në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, të dekretoj faljen e pjesës së dënimit të mbetur, të të dënuarës Nazime Beqir Visha.