Specialistët e Sektorit të Artit pranë DRKK – Berat kanë nisur proçedurën për rilevimin, matjet dhe hartimin e projektit të Konservimit dhe Restaurimit të pikturës murale të kishës së Shën Triadhës në Kala. Afresket murale të Kishës së Shën Triadhës janë në një gjendje jo të mirë dhe në to nuk është ndërhyrë asnjëherë në këto dekada. Piktura murale e ruajtur ende në brendësi të kishës së Shën Triadhës është unikale në llojin e vet në qytetin e Beratit, pasi përbën dëshminë e vetme të mbetur nga piktura e stilit të vonë bizantin në artin ikonografik. Programi ikonografik i përket ndikimit të shkollës paleologiane të shek. XIII-XIV me karakteristikë kryesore ngjyrat e theksuara dhe ndarjen e skenave në korniza të veçuara nga një shirit i kuq.Duke parë gjendjen aktuale tejet të rënduar në pikturën murale të kishës së Shën Triadhës del e domosdoshme një ndërhyrje emergjente e cila është e nevojshme për shpëtimin dhe parandalimin pjesëve të rezikuara të afreskut, të cilat kanë krijuar fugime, çarje dhe mbulim nga shtresa e gëlqeres dhe të kripërave të cilat do të çlirohen gjatë procesit të restaurimit.
Projekti do të nisë fazën e implementimit pas konsultimit me sektorin e artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, pas miratimit në Këshillin Shkencor dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.