Nenad Sebek
Romeo dhe Zhuljeta në shumë aspekte ishte sfida që kompania teatrore duhet të përballonte që në momentin që pati kurajon për të nisur punë. Sfida ishte që në hapin e parë.
Ngjizja e konceptit ishte një sfidë: nuk bëhej fjalë për pak fonde, por për një produkt që do të kushtonte shtrenjtë. Nuk ishte e lehtë as shfaqja në Beograd as ajo në Prishtinë. Nuk ishte e lehtë as marrja e aktorëve nga Tirana apo Prishtina. Nuk ishte e lehtë ngjizja e gjithë këtyre copave dhe krijimi i një shfaqje në dy gjuhë dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, nuk ishte lehtë të flitej në dy gjuhë në Beograd, Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë- dhe shpërblimi: Çdo shfaqje u mirëprit me admirim nga salla.
E njihja konceptin e kësaj shfaqje dhe pa e parë atë isha edhe vetë kurioz për shijet që do të më linte si spektator. Dhe sinqerisht, nuk po flas këtu si kritik teatri, por si një i apasionuar pas tij dhe kam qenë me fat që kam patur mundësinë të shoh pjesë të Peter Booke, Lindsey Kemp, Peter Stein, Peter Hall apo Sam Mendes dhe kam parë në skenë gjidandë si Glenda Jackson, Ian Mckellan, Hellen Mirren, Nuria Espert (gjithashtu një regjizore e mrekullueshme), Simon Callow, Kevin Spacey apo Willem Defoe.
Dhe natyrshëm vjen pyetja: si ishte shfaqja që pashë mbrëmë krahasuar me “ajkën” e sipërpërmendur. Më duhet të pranoj dy paragjykime lidhur me konceptin, apo më saktë me dy probleme. E para: të intepretosh në dy gjuhë. Pa dyshim, kam parë dhe kam shijuar pjesë teatrale në spanjisht pa ditur as edhe një fjalë spanjisht përjashto “Hola”; por këtu hyn magjia e teatrit sepse është shumë më tepër se fjala e folur, dhe duhet pranuar se kur njeh disi skenarin është shumë më ndryshe. Por, nuk kam qenë i sigurtë se cili do të ishte përfitimi nëse do të intepretohej me një gjuhë në Prishtinë dhe me tjetrën në Beograd. Problemi dytë lidhet me faktin se regjizori “flaku” konceptin klasik që aktorët janë në skenë dhe spektatorët në sallë. Është bërë edhe më parë kjo gjë, por gjatë 5 dekadave si spektator, unë shqetësohesha me regjizorët që kërkonin që ne të ndërronim vendet, të qëndronim me kurrizin drejt apo të vendosnim mbi kokë kovë druri ( më besoni, kjo është vërtet klaustrofobike). Njeriut, tek e fundit i pëlqen të rehatohet në karrike dhe po vrisja mendjen se pse regjizori kishte zgjedhur të na ulte në rreshta anësorë në dy anët e skenës. Pa dyshim e ndjek shfaqjen nga afër, e bën audiencën pjesë integrale të përvojes teatrore, por kjo ka edhe minuset e veta:- salla kështu merr shumë më pak spektatorë. Në këtë rast vetëm 150.
Një nga kënaqësitë më të mëdha që gjej në jetë, është tejkalimi i paragjykimeve, ose ca më mirë kur bindem t’i tejkaloj paragjykimet përmes shfaqjeve artistike.
Tani mund të them se ka një arsye të shkëlqyer për të luajtur me dy gjuhë në skenë. Në mënyrë simbolike, kjo gjë krijon mur mes vetë aktorëve dhe mes tyre dhe spektatorëve. Dhe imagjinoni pak se çfarë kënaqësie ishte të shihje rrëzimin e këtyre mureve dhe të përjetoje klithmën –dëshirë që e njëjta gjë të ndodhë edhe mes mureve që ekzistojnë mes dy kombeve, po ashtu siç bëri të mundur ansambli aktorëve.
Kur Capulet i ofron dorën Montague – kur fëmijët e tyre qëndrojnë të shtrirë pa jetë- në këtë moment fjalët bëhen pa kuptim. Mesazhi nuk ka se si bëhet më i qartë. Dhe pse është vendosur audienca në dy anët e skenës? Sepse nuk ka të bëj thjesht me distancën me skenën, padyshim kjo është gjë e mirë. Por mbi të gjitha është një metaforë për ndarjen mes kombeve dhe aktorët që u përkasin dy kombeve e bëjnë këtë ndarje të duket qesharake.
Por, pata edhe dy paragjykime të tjera në momentin që pashë aktorët që luajnë rolet kryesore: Jovana Gligorijevic dhe Tristan Halilaj. Këto do të luajnë Romeon dhe Zhuljetën….joooo…duken shumë adoleshentë, i kanë zgjedhur gabim. Kurrsesi nuk mund të jenë zgjedhja e duhur. Sa gabim mendova. Dua nga zemra të përgëzoj Jovanën dhe Tristanin. Brilant edhe si adoleshent edhe si të rritur- taman siç e kërkonte roli tyre. Të dy naivë dhe të lodhur; të rinj me dashurinë e tyre dhe pleq me urrejtjen reciproke të familjeve të tyre.
Çdo aktor i trupës meriton lëvdatë. Çfarë figure princërore Mensur Safciu në rolin e Escalus. Çfarë trimi i çartur doli Tybalt i luajtur nga Faris Berisha. Paris- Nikola Rakocevic- sa shumë e dashuruar sa shumë e shkëputur nga realiteti. Mercutio I luajtur nga Goran Jevtic, – guximtar i dalldisur. Armend Baloku- një rol i vërtetë për fisnikun Benvolio. Nebojsa Glogovac, i shkëlqyer edhe si baba i nxehur dhe i verbuar me urrejtje por edhe një njeri për t’u dhimbsur në momentin e dhimbjes së tij të madhe. Uliks Fehmiu, luajti aq qetësisht të mirkuptueshmin dhe të mëshirshmin Friar Laurence- aq qetësisht negocionte me veten ndihmën ndaj dy të rinjve të dashuruar që shkuan drejt vdekjes. Edona Reshitaj, sa mbretërore dhe krenare si Lady Capulet. Infermierja e Zhulietës- Anita Mancic- me një tjetër rol brilant nën regjinë e Miki Manojlovic. Zonja Capulet- Natasa Tapuskovic- imazhi I paharruar kur imagjinon, krenarinë, dashurinë dhe dhimbjen e burrit të saj. Miki Manojlovic, një magjistar teatri që minimizoi veten në skenë në rolin e Montague, por dha gjithçka si regjizor, me ndërhyrjet e duhura në skenar dhe në skenë.
Pas as më të voglin dyshim që, që të gjithë kanë admirimin tim të plotë, por më duhet të veçoj Arta Selimin si rrëfyese që ja doli të bëhet lidhje e veçantë mes “nesh” të ulur në karrike dhe “atyre” që luanin për ne në vendet tona. Roli i saj është për t’u patur zili- ajo është e vetmja në skenë që ka leje për të regular gëzimin e të luajturit. Dhe sa mrekullisht e bëri! Shkëlqeu në skenë për të gjithë ata që nuke mundeshin dhe injektoi kënaqësi në sallë, kënaqësi që buronte nga zemra dhe fytyra e saj. Pa dyshim që ajo do të ecë përpara. ËShtë e bukur dhe thjesht I duhet të presë për rastin për të “shpërthyer”.
Por përgëzimet shkojnë për çdo anëtar të trupës, jo vetëm për ata në skenë, por edhe për “të padukshmit” si producentja ekzekutive Milica Milic. Unë vetëm mund të imagjinoj makthin që ka kaluar për të bërë të mundur që në teatër të ndodhte magjia me këtë shfaqje. E njëjta gjë vlen për bashkë regjizorin Jeton Neziraj apo për kompozitorin Vladimir Pejkovic që me qasje minimaliste, por shumë të fuqishme dhe funksionale i shërbeu kaq shumë shfaqjes. E thjeshtë, por vetshpjeguese ishte skenografia e Branko Hojnik dhe elegante koreografia e Sonja Vukicevic.
Veshjet dhe kostumet e Zora Mojsillovic përçuan mesazhin se gjithsecili prej tyre në skenë mund të ishte gjithsecili prej nesh në jetën e përdithshme.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia- sa qetësuese ishte të dëgjoje muzikantët. Muzika live i jep jetë shfaqjes. Ky rast është përjashtim në Ballkan, por është kthyer në normë tashmë në Perëndim dhe padyshim në Broadway. Vladimir Pejkoviç, Dusan Petrovic, Damjan Babic dhe Nemanja Acimovic- ju falenderoj nga zemra. Dhe një falenderim i veçantë për regjizorin Manojlovic që këmbënguli që muzika të ishte live dhe që i gjithë investimi ia vlente.
Së fundmi, ndjesë që po i rrah pak krahët vetes, por meriton përgëzim edhe Këshilli Bashkëpunimit Rajonal (KBR) që ka kuptuar se bashkëpunimi rajonal është një udhë e gjatë kilometrike, për autostrada e hekurudha, për vende pune për ushtrinë e të papunëve, për përpjekjet për të hequr roaming në Ballkan, për rritjen e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në rajon. Dhe për gjithçka po bën për të përshpejtuar udhëtimin e kësaj qosheje të botës drejt BE. Por, mbi të gjitha edhe për faktin se përveç të kuptuarit e rëndësisë së çështjeve të mëdha, nuk la në harresë ushqimin për shpirtin si shfaqja e mbrëmshme ‘Romeo dhe Zhuljeta’,që la një shije që vetë Lucullus do të ishte shumë krenar.