Pse me librin e shtypur nuk do ta ketë aq të lehtë teknologjia e internetit?!

Nga Bjorn Runa

Teknologjitë e reja dhe interneti kanë vrarë pjesën më të madhe të zbulimeve të njerëzimit, duke u dhënë atyre një formë të re jetësore. Mjafton të përmendim mediat, industritë e argëtimit dhe gjithçka tjetër, për të cilat mjaftojnë pak klikime për t’i arritur. Megjithatë, ekziston një shpikje, të cilën pavarësisht përpjekjeve, bota e internetit ende nuk ka mundur ta kapërdijë plotësisht. Libri, në formatin e tij të shtypur, pavarësisht problemeve, vazhdon t’i bëjë ballë shpejtësisë me të cilën jetët tona përpiqen të përshtaten dita ditës, duke na lënë jo rrallë me pamjen e neandertalit të hutuar përpara shkëndijave të para të flakëve.
Duket se ka diçka në radhën e fletëve të lidhura bashkë, veç erës së ngjitësit dhe ndjesisë së letrës nëpër gishtërinj, që e bën librin e shtypur të vështirë për t’u zëvendësuar nga disa paketa dixhitale, të cilat së fundmi duket se përbëjnë jetët tona. Së pari, ndoshta është ideja e rezistencës. Qysh nga koha kur njerëzit nisën të shtypnin librat e parë, brenda tyre “u shtyp” gjithashtu ideja se ajo çfarë shkruhet me bojë në letër, nuk mund të zhbëhet më. Diçka thuajse e paimagjinueshme kjo për fleksibilitetin e epokës së paketave dixhitale, ku gjithçka varet nga një “njësh” apo “zero” më shumë ose më pak në fund të vargut. Tek e fundit, koha ka treguar se pavarësisht përpjekjeve brutale për zhdukjen e librave të ndryshëm ( mjafton të kujtojmë djegiet masive apo lëniet në harresë), fjala e shkruar sërish ia ka dalë mbanë të arrijë deri në ditët tona, pa humbje të mëdha.
Një tjetër fenomen që vihet re së fundmi në përpjekjet për ta “dixhitalizuar” librin, është edhe mungesa e autenticitetit. Është e vërtetë se interneti u krijua duke patur parasysh idenë e shpërndarjes materialeve, duke i zhveshur ato nga të drejtat e autorit, në mënyrë që të ishin lehtësisht të arritshme nga të gjithë. Por, diçka e tillë prej disa kohësh tashmë rrezikon të shndërrohet në qesharake. Jo rrallë ndodh, e për më tepër në botën e “shthurur” të portaleve shqip por jo vetëm, të përballesh me poezi apo thënie, të cilat në fund me shkronja të pjerrëta (se kështu duket më bukur), mbajnë autorësinë pompoze të disa prej emrave më të mëdhenj të letërsisë botërore.
Është fjala për vargje të cilat, ndoshta do t’i kishin zili vetëm këngëtaret tona stomak-pështjelluese me fytyrën e mbuluar nga tualeti i tepërt, që në fund pa kurrfarë turpi mbajnë emra poetësh si Neruda, etj. Poetë, të cilët nëse në një çast brutal do të mund ta zbulonin diçka të tillë, me siguri do të ngriheshin duke shkundur baltën nga trupi për ta vrarë sërish veten, të varur në degën e ndonjë shelgu pranë varrit. Megjithatë, nëse deri tani kjo mund të duket e tmerrshme, ndoshta duhet të qetësoheni. Tek e fundit, të vdekurit nuk e dinë ç’bëhet me emrin e tyre, e ndoshta as që iu intereson më.
Tmerri i vërtetë ndodh mes të gjallëve. “Hit” i momentit, por ndoshta edhe i përhershëm janë autorë si Ismail Kadare, apo Dritëro Agolli, poezi dhe thënie të të cilëve ngatërrohen si pa të keq me njëra-tjetrën dhe ti, ndërsa lexon duhet që nëpërmjet stilit të të shkruarit të kuptosh se cili është autori i vërtetë. Deri diku, e gjithë kjo mund të shndërrohet në një lojë të këndshme për të provuar njohuritë e tua në lidhje me autorë të ndryshëm por, problemi qëndron kur ndonjërës prej tyre të duhet t’i referohesh saktësisht.
Në fund, çdo të ndodhte me gjeneratën e atyre që nuk janë përballur kurrë me veprat e poetëve të caktuar dhe për të cilët, fraza më poetike që mund të kenë dëgjuar ndonjë herë është “Xhinset a po t’rrinë tamam?” A do të përballeshim atëherë me njerëz që, teksa lexojnë emrat Pablo Neruda, apo Octavio Paz në fund të ca vargjeve rropulli-nxjerrëse, do të mendonin se ata janë thjeshtë ca këngëtarë rap, shumë nam?
Të gjitha këto të shtyjnë të mendosh se librit të shtypur nuk i ka ardhur ende fundi dhe, pavarësisht përpjekjeve për ta shndërruar atë në një nga moritë e pafundme të formateve elektronike, rruga duket se do të jetë e vështirë. Tek e fundit, nëse ai ka arritur t’i rezistojë torturave më të tmershme si djegiet, apo më keq lëniet në harresë, do të vazhdojë t’i bëjë ballë edhe vargut të “njëshave” dhe “zerove” që duket se po përpijnë jetët tona dita-ditës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *