Një nga temat më interesante në “Cafe Europa”
“Të rri apo të iki?” – dilema e zgjatur e qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Rreth kësaj pyetje të vështirë për t’iu përgjigjur, rreth ëndrrës dhe shpresës, dhimbjes dhe dështimit, diskutuan tre autorët sot në panel: Ivan Landzhev, Luljeta Lleshanaku, Petar Matović. Për Luljeta Lleshanakun kjo është një dilemë e përgjigjthshme për shkrimtarët e Europës Lindore, pavarësisht se nuk mund ta quajmë një zgjedhje, sepse nuk varet prej nesh. Por në rastin e shkrimtarit, kjo zgjedhje është akoma më e vështirë për shkak të dy personaliteteve, që kundërshtojnë njëri-tjetrin: personaliteti i zakonshëm, ai në kërkim të një vendi që i ofron kushte më të mira jetese, stabilitet ekonomik, ashtu si edhe social dhe personaliteti i shkrimtarit, për të cilin lënda e parë është historia personale, historia e vendit nga vjen dhe marrëdhëniet me të. Përveç të tjerash, pyetja e madhe që shtrohet në këtë rast është: a është vendi i ri, ai që të ofron këto mundësi të mira jetese, edhe vendi që të ofron edhe mundësitë më te mira si shkrimtar, e parë kjo në disa nivele. Duket se vendi ideal për një gazetar, është ai vend që prodhon dramë, konflikt, emocion, tronditje emocionale (për të njëjtën arsye gazetarët preferojnë frontin e luftës, vendet e krizës). Dhe pengesa tjetër, natyrisht që është gjuha. Zgjidhja më interesante duket kapërcimi i kufijve në nivel letrar dhe jo fizik.