Të dielën rreth orës 19:00, kur në Kizilay (Ankara) një bombë shpërtheu dhe mori dhjetëra jetë krejt të pafajshme, Aylin Bozok gjendej në Tiranë, në javën e saj të dytë në Shqipëri. Pak minuta më pas, i ati, një muzikant nga Teatri i Operas së Turqisë, i telefonoi për t’i thënë se ishte mirë dhe se kishte kaluar në vendin e shpërthimit vetëm 10 minuta më parë, kur kthehej nga provat e një shfaqjeje. Edhe Ailyn po punonte ndërkohë për një shfaqje. “Capuleti e i Montecchi “, opera e Vincenzo Bellinit vjen premierë absolute në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë në datat 20, 24, 26 dhe 27 mars 2016.
Vepra që trajton dashurinë e dy të rinjve veronezë, Romeos dhe Xhuljetës, vjen me libretin e Felice Romanit (bazuar në veprën me të njëjtin titull nga Luigi Scevola) dhe nën regjinë e Aylin Bozok, turko-zviceranes që deri më tani ka vënë në skenë “Suor Angelica”, “Pelléas et Mélisande”, “Il Tabarro”, etj.
Është hera e parë që Bozok vjen në Shqipëri. Ka mbërritur në Tiranë më 29 shkurt dhe prej tri javësh po punon me “Capuleti e i Montecchi “. Në këtë opera, rolin e Xhuljetës e interpretojnë Eva Golemi dhe Enkelejda Kamani, ndërsa atë të Romeos e interpretojnë Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha. Rolet e tjera ndahen si vijon: Capellio nga Armando Likaj, Tebaldo nga Klodjan Kaçani dhe Lorenzo nga Enrico Marchesini. Orkestra Simfonike është nën dirigjimin e Elda Laros, ndërsa dirigjent i Korit të TKOBAP është Dritan Lumshi dhe as/regjisore Ada Gurra. Skenografia është e Taulant Pustinës, ndërsa kostumet të Ardi Asllanit.
Mbi hakmarrjen dhe balancën
Ndryshe nga historia që dimë prej Shekspirit, kjo opera sipas Bozok e vë theksin te rivaliteti mes familjeve Capuleti dhe Montecchi . “Do shoshim se çfarë rivaliteti mes familjeve mund t’u shkaktojë njerëzve, dashurisë, paqes dhe në fakt është një histori që tregon se çfarë të detyron të bësh hakmarrja”. Bozok ndalet te Romeo, që në Tiranë do interpretohet nga mezosopranoja Vikena Kamenica. “Kompozitori e ka shkruar rolin e Romeos për një mezosoprano. Në atë kohë, kompozitorët shkruanin shpesh role mashkullore me vokal femëror dhe anasjelltas”, shprehet Bozok, ndërsa tregon se edhe vetë opera është zgjedhur nga Teatri Kombëtar i Tiranës dhe i është propozuar asaj.
Në këtë pikë, ajo shënon se bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe se sipas saj, teatri shqiptar ka këngëtarë e muzikantë të talentuar, madje ajo thotë “zëra të pabesueshëm”. Duke u mbështetur shumë tek asistentja Ada Gurra “që ka bërë çdo gjë të mundur”, Bozok thotë se kjo opera i flet publikut për balancën. “Është për të balancuar të mirën dhe të keqen. Duhet ta lësh të keqen të shkojë, ta lësh hakmarrjen të shkojë, sepse në të kundërt ajo shkakton më shumë probleme. Gjërat nuk shkojnë siç e presim. Edhe dashuria, ajo më e fuqishmja siç është në këtë opera, edhe ajo mund të ndalet vetëm nga një ide e thjeshtë hakmarrjeje”.
Në rastin e Tiranës, thotë Bozok, “është kujtimi i një prej personazheve, që është i dashuruar me Zhuljetën, Tebaldo ai që vjen ndryshe. Ai plaket dhe ne përmes mendjes së tij, përmes kujtimeve të tij, udhëtojmë me të në këtë histori. Sigurisht, ka kujtime që na përndjekin si fantazma, por duhet të bëjmë paqe me të shkuarën tonë. Jo vetëm paqe me vetën tonë, por edhe paqe me kujtimet tona, edhe paqe me të shkuarën tonë”. Regjisorja e vë theksin te paqja me botën që e ka fillesën tek paqja me veten. “Nuk mund të japësh dashuri e nuk mund ta hapësh zemrën për dashuri e as të marrësh dashuri pa e bërë këtë”.
Mbi ndërtimin e personazheve, ajo thotë se i ka ndërtuar duke u munduar të jetë sa më natyrale. “I kam bërë sa më shumë natyralë qe e mundur. Personazhi i Romeos është ndërtuar mbi atë që mendoj – se çfarë ndjente Romeo në një situatë të tillë. Çfarë do ndjeja unë nëse do isha në vendin e tij. Kështu janë ndërtuar të gjitha personazhet. Dua të jenë sa më të vërtetë”.
Me një theks të dallueshëm britanik, Bozok vë në dukje se në opera, në çdo produksion, ky ka qenë gjithnjë qëllimi i saj: të japësh dashuri, t’u japësh diçka njerëzve, të ndash një emocion. “Çdo emocionin është i lidhur me atë që ndjejmë. Ne kemi harruar si të ndjejmë. Dhe ky është një problem i përgjithshëm. Dhe kjo është arsyeja pse kaq shumë gjëra shkojnë keq në këtë moment. Teknologjia ka marrë gjithçka- qëndrimin tonë për të konsumuar gjithçka. Njerëzit duan vetëm të konsumojnë, të konsumojnë, të konsumojnë pa fund-duke harruar se ne jemi krijuar për të ndjerë. Ne duhet të jemi në paqe me veten dhe me natyrën”.
Me një origjinë turko-zvicerane, Aylin Bozok jeton në Londër dhe është një emigrante, një artiste emigrante. “Unë kam lindur në Zvicër. Më pas shkova në Turqi ku isha një emigrante. Prej andej emigrova në Londër. Kam qenë emigrante kudo. Nuk jam kurrë në shtëpi”.
E pyes mbi konceptin e saj mbi emigrimin, edhe pse artisti është shpesh një ’emigrant’ i përhershëm jo në kuptimin e parë të fjalës dhe se është po aq shpesh edhe qytetar i botës. Ka rëndësi të qenësishme mendimi i një artisti për emigrimin, në kohë kur dyert e portat e mbyllen me hekura të rëndë para emigrantëve të sotëm. “E para është se ne jemi qenie njerëzore. Nëse jemi në paqe me veten, do jemi në paqe me të tjerët. Dhe kështu do të mund të pranojmë ndryshimet mes njerëzve. Është problem i madh të pranosh tjetrin, të hapësh zemrën, të lejojmë veten të ndjejë, të flasim veten dhe të shohim të tjerët. Tingëllon mbase shumë ‘ide humanitare’ apo spiritualë, por kështu e mendoj. Unë nuk jam në shtëpi. Por, unë nuk dua të jem në shtëpi. Unë dua që e gjithë bota të jetë shtëpia ime. Ky është planeti im dhe duhet të kujdesem për të. Është përgjegjësia ime si qenie njerëzore”.(Fatmira Nikolli-Gazeta Shqiptare)