“Themistokli Gërmenji”, si e shndërroi regjimi komunist monumentin e tij

FB_IMG_1458258171266

T’IA KTHEJMË SHKRONJAT E NDERIT KORÇËS

Aurel Plasari
Korçarë dhe jokorçarë, – në përgatitje për të përkujtuar 100-vjetorin e vrasjes tragjike të Themistokli Gërmenjit (1871-1917), – kërkoni ju lutem në koleksionet e vjetra familjare, private etj. dhe gjejeni një kartolinë të viteve të Mbretërisë Shqiptare të monumentit të Themistokliut. Është një kartolinë që nuk po e gjej dot në koleksionet e mia, ndërsa e kujtoj përmendsh që në piedestalin e shtatores shkruhej:
“THEMISTOKLI GËRMENJIT
KORÇA”

Gjatë një regjimi, të cilin as që është vendi ta komentojmë, iu hoq ky kushtim i qytetarisë korçare dhe u la vetëm:
“THEMISTOKLI GËRMENJI”
Nuk kishte si të pranonte ai farë regjimi që figurave të mëdha, veçan heronjve, t’ua bënin monumentet vetë qytetarët dhe Qyteti. Në atë regjim monumentet duhet t’i prodhonte vetëm shteti, më sak “partia”, sepse vërtet për çdo moment nevojitej një… Vendim i Komitetit Qendror të PPSh.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar Shqipëria mund të ishte e prapambetur nga shumë anë, por në Shqipëri funksiononte angazhimi qytetar. Të dyja monumentet historike të Qytetit, “Luftëtari kombëtar” (1932) dhe shtatorja e Themistokli Gërmenjit, u kryen me vullnetin e qytetarëve të Korçës, me paratë e mbledhura prej tyre për të paguar skulptorin më të mirë të vendit në atë kohë (Odhise Paskalin), pastaj me një mbledhje tjetër fondesh për të realizuar jashtë Shqipërisë derdhjet në bronz, të cilat edhe sot e gjithë ditën kushtojnë jo pak etj., aventura të lavdishme të qytetarisë së Korçës. Dhe jo vetëm të Korçës. Sepse po ashtu vepruan në ato vite edhe Vlora për monumentin e Flamurtarit (1932), edhe Gjirokastra për monumentin e Çerçiz Topullit (1934) etj. Monumente të tilla, të regjistruara në kujtesën e qyteteve, nuk ka “kohë të keqe” që i tund nga vendi.

Është në nderin e kujtesës historike që monumentit të Themistokli Gërmenjit, në këtë prag 100-vjetori, t’i kthehen shkronjat e hequra padrejtësisht nga një xhelozi absurde. Ndoshta po ashtu sikurse do të duhet t’i kthehen edhe “Luftëtarit kombëtar” shkronjat e hequra në të njëjtën mënyrë duke i restauruar edhe atij kushtimin origjinal të kohës:
“PËR KUJTIM E MIRËNJOHJE NGA QYTETI I KORÇËS”.
Kërkojeni pra, ju lutem, dhe gjejeni atë kartolinë të vjetër që përbën dëshmi historike të autenticitetit.

Kartolina e vjeter

Kartolina e vjeter


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *