Nga Jonida Hitoveizi
Versioni anglisht i këngës që do të na përfaqësojë në Eurovizion është pritur keq nga shumica e njerëzve, të cilët e kanë vlerësuar me butonin “dislike” në Youtube (më shumë sesa ata që e kanë pëlqyer).
Po ashtu blogu i Eurosong “wiwibloggs” ka nisur një fushatë të pamëshirshme, duke ironizuar keq këngën “Fairytale” dhe klipin e saj. Pavarësisht vlerësimeve dhe faktit që askush nuk e mohon dot se Eneda Tarifa është një ndër këngëtaret tona më të mira ( e muzikës live), kënga, mendojnë edhe ata që nuk flasin dot, është e keqe dhe jo e arrirë. Madje preferohet shumë më shumë versioni i saj në shqip sesa versioni konkurues për Eurosong. Dhe gjithë këto komente askush nuk mund t’i anashkalojë apo të bëjmë sikur nuk i kemi dëgjuar, për të mbetur neutral. Unë nuk do merrem me këngën e Enedës për autopsi, edhe pse më duhet të them që kam këngë të tjera shumë më të preferuara prej saj, që i dëgjoj më me qejf sesa “Përrallën” në anglisht.
Mua më shqetëson ajo që po ndodh prej vitesh me artistët tanë më të mirë kur shkojnë dhe konkurojnë në festivalin e fundvitit. Unë nuk e di sesi bëhet përzgjedhja e këtyre këngëve, kompozimi, orkestrimi, teksti etj, por di që emrat e mëdhenj të muzikës sonë, zëra potentë nga Aurela Gaçe e deri në fund tek Eneda Tarifa, seç u ka ndodhur kur vjen puna tek Eurosong. Unë nuk jam e qartë kush i zgjedh këto këngë për to dhe çfarë paktesh bëhen, por di që versionet e shumta në anglisht kanë qenë një katastrofë. Vjet, e shumëtalentuara Elhaida Dani dështoi në skenë dhe duket se ajo nuk pati kohë të mjaftueshme për ta ndjerë vet këngën, pastaj për ta përcjellë në anglisht live me emocionet që duhet të dhuronte. Edhe pse për të shkruan deri tek mediat britanike si pretendente për çmim. Por votimi, sado gjeopolitik që ta justifikojmë, ishte një dështim.
Sivjet po ndodh e kundërta, edhe pse ajo që mbetet e njëjtë është mosaftësia e këtyre këngëve për tu bërë hit në Shqipëri. Unë nuk mendoj se hit bëhen tallavatë këtu, aspak, edhe pse e di që do thonë “epo duhet komerç, ndaj nuk pëlqehet Eneda”. JO! Fajin e kanë këngët dhe ata që zgjedhin këto këngë e këto versione në anglisht që deformojnë shpirtin e krijimit të parë. Nuk mund të themi sot që Aurela Gaçe është këngëtare e keqe pse doli keq në Eurosong, as për Elhaidën dhe as tani për Enedën. Këngët që zgjidhen për Eurosong zgjidhen keq, bëhen keq dhe përfundojnë keq. Lëreni këngën të rrjedh, lëreni këngëtarin ta ndjej atë që këndon. Boll me këto çudirat shto ujë e shto miell, “po bëjmë këngë për Eurovizion”. Bëni thjesht një këngë të mirë, siç bëni shpesh për festivalet e tjera apo për klipe personale. Ne e dimë si funksionon ai festival i fundvitit, që nuk e sheh njeri. Ndaj kjo “puna kolosale më pas” për t’i prishur punë këngës apo këngëtarit duhet të marrë fund dhe para se të kërkojmë këngë dinjitoze në skenën e Eurosong duhet të rikthejmë festivalin tonë të fundvitit tek vlerat e tij. Ai festival i mekur e i vdekur, aq mund t’i bëjë një kënge: maksimumi ta shëmtojë. Siç ka vërtetuar historia deri tani, ku vetëm jemi ankuar se s’na votojnë fqinjët, ndërsa çojmë në Eurovizion këngë që nuk i dëgjojmë dot as vet.