Ajo ishte më shumë se një këngëtare e madhe, një zë që përçonte emocion, ndjenjë e fuqi në çdo vibrim të kordave të saj zanore. Shumë nga ne janë rritur me këngët e saj, shumë prej të cilave ishin një pasqyrë e jetës së saj, një zemërim e revoltë e brendshme, një dhimbje plot pasion. Mia Martini ishte një nga këngëtaret më të dëgjuara italiane të shekullit që sapo lamë pas, një zë që jeton ende në një trashëgimi që i përket viteve të arta dhe fondit të artë të muzikës. Të përshkruash Mia-n, ndoshta fjalët mund të humbasin kuptimin, sepse për këtë grua të fortë, mjafton të dëgjosh ato që ka lënë pas. Një jetë me vuajtje, një udhëtim i një artisteje të madhe që përfundoi në mënyre enigmatike, si fati i shumë njerëzve të tjerë të mëdhenjë.
Kush ishte Mia Martini
Mia Martini, ishte emri i saj i artit, por emri i saj i vërtetë është Domenica Berte. Domenica lindi në Bagnara Calabra, më 20 shtator 1947 dhe kaloi një fëmijëri paksa të vështirë, por qysh atëherë ende një fëmijë, pasioni për muzikën do ta bindte të linte pas dore gjithçka për t’iu kushtuar muzikës. Në vitin 1962, e bind të ëmën ta shoqërojë në Milano në kërkim të një kontrate diskografike. Ajo është klasifikuar mes zërave më të bukur të muzikës italiane. Karrierë e saj artistike, filloi në vitin 1963, me emrin e Mimi Berta¨. Në vitin 1982 mori pjesë në Festivalin e Sanremos dhe u vlerësua me çmimin e kritikës, që sot quhet “Çmimi Mia Martini”. Dy prej këngëve të saj më të famshme janë “Almeno tu nell‘universo” dhe “Gli uomini non cambiano”. Vdiq në moshën 47-vjeçare nga një atak kardiak, në rrethana ende të paqarta të lidhura me përdorimin e lëndëve narkotike. Gjatë karrierës së saj 32-vjeçare ka kënduar në gjuhën italiane, angleze, franceze, spanjolle, portugeze, gjermane dhe greke. Në repertorin e saj ka muzikë “soul”, “folk”, bluz dhe xhaz.
Fëmijëria e vështirë e Mimi-t
Fëmijëria e kësaj dive nuk ka qenë aspak e thjeshtë, madje zemërimi dhe revolta e saj e brendshme e pamundur mos të vihet re pothuajse në të gjitha këngët e saj. Një zë që tregonte një dhimbje të thellë ndaj së cilës e pamundur të mos dashuroheshe, por edhe një vitalitet që vetëm njerëzit më të veçantë të kësaj bote e gëzojnë si dhunti, si një tërësi e cila diti t’i bënte njerëzit ta donin, t’i jepnin dashurinë që ndoshta kishte kërkuar gjatë gjithë jetës.
Mimi kishte edhe një motër me të cilën kishte shpesh marrëdhënie të komplikuar por gjatë një interviste të dhënë ajo ka hedhur dritë mbi një fëmijëri që duket se asnjëherë nuk e la të lirë Mia Martinin. Motra, Loredana, e përshkruan të atin me tone të ashpra. Tregimet të lënë të imagjinosh se vajzat kanë pasur një fëmijëri të keqe nga prania e një babai të dhunshëm, madje jashtë çdo limiti. Por këtë herë, Loredana është e vendosur t‘i tregojë të gjitha, të mos i lërë asgjë imagjinatës. Tregimet e fëmijërisë janë edhe më të tmerrshme: “Mimi ishte shumë e zgjuar, i kuptonte të gjitha situatat. Kur në shtëpi dëgjohej Bethoveni, ishte e sigurt se do të kërciste dajaku. Për ta shmangur këtë, ajo më merrte me vete dhe më çonte në plazh. Një ditë, motrën e madhe, Ledën, e hodhi nga dritarja, sepse kishte marrë 6 në latinisht, dhe duke qenë se ai ishte profesor i gjuhës latine dhe greke nuk mund ta duronte këtë. Një herë, kur Mimi mori 4 në anglisht, u largua nga shtëpia, pa u menduar dy herë. E gjetën në majë të një peme, në periferi të Romës. Ishte gërvishtur nga koka deri te këmbët. E vetmja që ia mbathi vërtet isha unë. Nuk isha budallaqe. Vërtet nuk i kuptoja të gjitha gjërat, por i shihja. Ai ia thyente shishet në kokë mamasë sime sa herë që mbetej shtatzënë…”.- ka rrëfyer e motra duke na dhënë më shumë të kuptojmë për divën e skenës italiane.
Mia Martini vdiq në moshën 47-vjeçare në rrethana enigmatike, por dyshohej se ishte një overdozë ilaçesh pasi këngëtarja e madhe vuante nga depresioni edhe pse motra e saj është shprehur se mund të jetë masakruar nga i ati. E megjithatë në vetminë e thellë të kësaj gruaje ndodhej përherë një mik i vyer, dhe ky ishte artisti tjetër italian Renato Zero. Gjatë karrierës së saj 32-vjeçare, Martini ka kënduar në gjuhën italiane, angleze, franceze, spanjolle, portugeze, gjermane dhe greke. Në repertorin e saj ka muzikë “soul”, “folk”, bluz dhe xhaz. (Përgatiti: J.H/ Pasqyrë.al)