Kim Mehmeti në Zululand: Jam lindur e plakur aty ku 5 herë në ditë thirret ezani!

Biseda mes Mehmetit dhe gazetarit Mustafa Nano u fokusua më së shumti tek libri “Shkupi”, i cili flet për deshqiptarizimin dhe deislamizimin e këtij qyteti që me shumëçka ka shënuar të kaluarën dhe të sotmen shqiptare.

Kim Mehmeti e pa të udhës të shkruante një libër për Shkupin, mbase pse e ndjente mungesën e gjurmëve të shkruara  për këtë kryeqytet, që para 1990, ka qenë kryeqyteti i gjithë shqiptarisë për nga numri i banorëve shqiptarë. “Librin ‘Shkupi’ e shkrova ngaqë më habiti e vërteta se ne flasim për trojet tona, për Shkupin shqiptar, mirëpo unë për Shkupin gjeta 28 monografi të shkruara nga serbë, bullgarë e kroatë, por nuk gjeta asnjë nga ndonjë autor shqiptar”, tha në emisionin Zululand shkrimtari Kim Mehmeti.

Librin “Shkupi” Kim Mehmeti e quan një ese historike, pasi siç thotë ai vetë, “…unë nuk jam historian, dhe i respektoj profesionet”.

Nano shtroi një pyetje për Mehmetin: Deshqiptarizimi dhe deislamizimi a janë e njëjta gjë? Për shkrimtarin janë nocione që ndahen dhe bashkohen. “Nuk është e njëjta gjë, por nxitës është e njëjta gjë. Shqiptaria e nxit edhe njërën edhe tjetrën”, tha Mehmeti, duke dhënë shembuj, ai nënvizoi se në të kaluarën, por edhe në të sotmen – që të dëmtohet shqiptaria – shpesh janë barazuar fetë me etninë.

Për deshqiptarizimin e Shkupit të sotëm, Mehmeti fajëson shqiptarët dhe jo maqedonasit. Sipas tij, politika shqiptare në Maqedoni nuk i bëri asnjëherë presion politikës maqedonase dhe thuajse as që tregoi interes ta pengojë deshqiptarizimin  e Shkupit.  “Madje edhe simbolet kombëtare përdoren për të mbuluar hajdutërinë dhe për lëshimet që i bëhen palës maqedonase, kështu për shembull, kur BDI-ja ngre një shqiponjë, 50 metra më tutje VMRO ngre një kryq gjigant”, duke e sqaruar se ai nuk ka asnjë gjë me kryqin përderisa shumë vëllezër të tij shqiptarë i përkulen kryqit, por siç thotë ai, “unë jam kundër cilitdo simboli, apo tempulli fetar që ngrihet me qëllim të provokojë tjetrin.”

Kim Mehmeti vetveten e cilëson si shqiptar mysliman të mirë, të lindur e të plakur aty ku pesë here në ditë dëgjohet thirrja e ezanit. “Ashtu si përkatësia etnike edhe ajo fetare,  është vetëdije, nuk është ndjenjë. Dhe vetëdija ime është se jam shqiptar mysliman. Kuptohet unë legjitimohem nëpërmjet shqiptarisë, ngaqë ajo në vetvete i ngërthen edhe të gjitha veçoritë e tjera që mund t’i ketë një shqiptar, përfshi ato fetare, krahinore, dialektore…”

Shprehjen “Shqiptarinë e ka shpëtuar Islami”, Mehmeti është detyruar ta shpjegojë  edhe njëherë duke nënvizuar faktin se ai ka qenë i qartë për ata që kuptojnë dhe i paqartë për ata që qëllimisht të keqkuptojnë. “Dhe kjo thënie ime u përdor edhe ashtu siç deshën disa nga ata që dëgjojnë jo atë që thua, por atë që do donin ta thuash”, tha shkrimtari Mehmeti, duke ju drejtuar Mustafa Nanos me një konstatim: “Ka qëndrime të tuat ndaj fesë që nuk më kanë pëlqyer, por ta lejoj, nëse ti më plotëson kushtin më të rëndësishëm: mos më prekësh shqiptarinë.”
 

Ndërsa i ndalur tek politika në Maqedoni ai tha: “Shpeshherë më duket thuajse Maqedoninë e drejton një bandë pijanecësh e hajdutësh maqedonas dhe një grup injorantësh shqiptarë, të cilët injorantë u shërbejnë pijanecëve”. (TemaTv.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *