“Bekim Fehmiu në Shqipëri” dhe çfarë shkruante raporti i Sigurimit të Shtetit për të

Nesër e enjte, ora 11.00 tek Akademia e Filmit dhe Multimedias MARUBI, AQSHF dhe AFMM organizojnë një aktivitet në Homazh të Bekim Fehmiut, në bashkëpunim me Albanian Institute for International Studies.
Programi përfshin shfaqje të filmit “Bekim Fehmiu në Shqipëri”, prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, një dokumentar mbi vizitën e artistit në Shqipëri në vitin 1972 me regji të Vitori Celit dhe prezantim të monografisë për jetën e Bekim Fehmiut “Odiseu i Kosovës” nga Fahri Musliu si edhe prezantimin e një refleksioni nga PhD. Bruce Williams “Ballkanit, me Dashuri… për Bekim Fehmiun”

Me shkas shfaqja e filmit në Akademinë e Filmit dhe Multimedias MARUBI, Enver S.Morina shkruan se sipas “Raportit të Sektorit të Kulturës për Bekim Fehmiun” (që ka botuar “Gazeta Shqiptare” në shtator 2015), aktori Bekim Fehmiu gjatë qëndrimit në Shqipëri (20 prill-4 maj 1972) paska folur, si i quan ai “feudalizmin primitiv të mbretit Zog”, ka vënë në dukje se në “në Beograd tani janë rreth 40 për qind analfabetë”, ka përmendur se në Jugosllavi ka raste “të shumta të vjedhjes nga drejtues ndërmarrjesh”, se “këta vjedhës të miliona dollarëve nuk ndëshkohen”, vlerësoi lartë filmat shqiptar “nga pikëpamja teknike dhe bëri vërejtje nga ana artistike”, ka thënë se “filmi duhet të ketë sa më pak karakter deklarativ, të ndihet më mirë dhe më fort shqiptari i sotëm, të intensifikohen ritmi i filmit dhe dinamika e tij”, etj.
Më tej në “Raportin e Sigurimit të Shtetit” shkruhet: “Prej datës 20 prill deri më 4 maj qëndroi në vendin tonë, i ftuar nga Kinostudio, aktori kosovar Bekim Fehmiu. Gjatë kësaj periudhe me të u realizua ky program: Pritje në Drejtorinë e Kinostudios, ku morën pjesë dhe disa punonjës artistikë, mbas takimit vizitoi disa reparte të Kinostudios si dhe asistoi në sheshin e xhirimit të një filmi artistik. Takimi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve me shokun Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Llazar Siliqi etj. Shikimi i shfaqjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe bisedoi me artistët e ansamblit, mbas shfaqjes. Shikimi i filmave artistikë “Malet me blerim mbuluar”, “Kur zbardhi një ditë” dhe “Vallëzimi i shqipeve”…”
Pas kthimit nga Shkodra në Tiranë, thuhet në “Raportin …”, ai asistoi në premierën e filmit “Yjet e netëve të gjata”. “Në Kinostudio u shfaq për pedagogët dhe studentët filmi “Odisea”. Mbas filmit u zhvillua një bisedë, thjesht për probleme profesionale…”, shkruhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *