Në datat 17-20 mars 2016 nis në Leipzig mbahet Panairi i librit Leipziger Buchmess dhe Festivali i saj “Leipzigu lexon”, ngjarja më e madhe e librit të këtij qyteti. Autorët, lexuesit dhe shtëpitë botuese takohen për të mbledhur informacion, për t’u angazhuar në shkëmbime, përvojë dhe në zbulimin se çfarë është e re. Edhe këtë vit autorët shqiptarë, të mbështetur nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI, do të jenë pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig. Letërsia shqipe do të përfaqësohet në këtë ngjarje të rëndësishme nga shkrimtarët: Luljeta Lleshanaku, Virion Graçi dhe Ardian Christian-Kyçyku. Autorët dhe botuesit shqiptarë janë pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Evropës, nga Sllovenia në Bullgari, nga Rumania deri në Bosnje e Mal të Zi.
“Atdheu, arratia, dëbimi, shpërngulja” është tema madhore rreth së cilës rrjeti TRADUKI ka ndërtuar panelet e diskutimit mes shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Historia e tridhjetë viteve të fundit të këtij rajoni ka qenë histori e shkëputjes nga regjimet totalitare, e përpjekjes për të ndërmarrë rrugën e mundimshme të integrimit në Bashkimin Europian, histori e ndarjeve të dhunshme nga familja e atdheu, histori arratie e dëbimi. Për të gjitha këto ndryshime të rëndësishme që kanë tronditur e vazhdojnë të trondisin jetesën e këtyre vendeve, do të dëshmojnë autorët nëpërmjet letërsisë së tyre.
Luljeta Lleshanaku do të nisë takimet e Leipzigut ditën e enjte, datë 17 mars, në një bashkëbisedim për Fëmijërinë si ngujim shtëpie, si atdheu, si toka e patundur ku kemi lëshuar rrënjë. Fëmijëria në kohën e diktaturës së Lleshanakut përballë Fëmijërisë si Utopi të shkrimtares Sabine Bockmühls nga Lihtenshtejni.
Rumania, një vend që bashkon tre shkrimtarë me prejardhje e gjuhë të ndryshme: Ardian Christian-Kyçykun, Dana Grigorcean dhe Filip Florianin, të ftuar për të ndarë përvojat e tyre në diskutimin e ditës së premte, datë 18 mars.
“Të rri apo të iki?” – dilema e zgjatur e qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Rreth kësaj pyetje të vështirë për t’iu përgjigjur, rreth ëndrrës dhe shpresës, dhimbjes dhe dështimit, do të diskutojnë tre autorë në panël: Ivan Landzhev, Luljeta Lleshanaku, Petar Matović, po ditën e premte me datë 18 mars.
Në Natën ballkanike, tashmë të kthyer në traditë, përmes leximeve autoriale, interpretimeve dhe muzikës, shkrimtarët Virion Graçi Liliana Corobca, Dana Grigorcea, Jonathan Huston, Ulrich Ladurner, Andrej Nikolaidis, Stevan Tontić, Boštjan Videmšek, Marina Vujčić, do të sjellin një tjetër tabllo të Ballkanit, ditën e shtunë, më 19 mars.
Të shkruash mes dy vendeve, gjuhëve dhe kulturave: përvojat e dy shkrimtarëve: Ardian Christian-Kyçykut dhe Dževad Karahasan ditën e dielë, me datë 20 mars.
Në aktivitetet dhe panelet e këtij panairi rrjeti TRADUKI do të paraqesë edhe një numër të madh të librave të përkthyer të autorëve të letërsisë së Evropës Juglindore, të mbeshtetura prej këtij rrjeti. Por jo vetëm kaq: Në Leipzig, autorët do të mund të bashkëpunojnë me kolegë, gazetarë dhe kritikë letrarë gjermanishtfolës si dhe do të mund të krijojnë njohje të reja me kolegët e tyre të Evropës Lindore dhe Juglindore.
Në këtë panair merr pjesë edhe Kosova me shkrimtarët Agron Bajrami, Ervine Halili, si dhe antropologia Armanda Kodra-Hysa.