Ekspozita prezanton punën e realizuar në kuadrin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”.
Qëllimi i ekspozitës është të vendosë në fokus vlerat e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike të fshatit Tragjas i Vjetër dhe të njohë publikun me historikun e tij, situatën urbane, arkitekturën e banesave dhe tipologjitë e tyre, zhvillimin morfologjik të hapësirave si dhe paraqitjen e ideve për rijetëzimin dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit në këtë zonë.
Fshati rrënojë i Tragjasit të Vjetër dhe gjetjet arkeologjike përreth tij tregojnë ekzistencën e një qendre të banuar qysh në lashtësi. Ky vendbanim i djegur tre herë dhe i shkatërruar plotësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore sot është një muze i hapur i lënë në harresë, një dëshmi e heshtur e së shkuarës. Megjithëse nuk banohet prej 60 vjetësh, brenda kufijve të fshatit spikatin qartë elementët përbërës të tij: një rrugë kryesore që e përshkon fshatin në gjithë gjatësinë e tij dhe silueta e rrënojave të banesave të dikurshme. Fshati me 300 shtëpi, shtrihet në një faqe kodrinore, sa piktoreske aq edhe strategjike. Shtëpitë janë vendosur gati ngjitur me njëra-tjetrën shquhen për modelimin e gjetur, racionalizimin, përshtatjen e mirë me terrenin, lëvizjen e theksuar të vëllimeve dhe monumentalitetin. Secila prej tyre paraqet arkitekturën e vendit dhe mjeshtërinë e njerëzve të thjeshtë që i ndërtuan. Ekspozita do jetë e hapur deri më 17 mars në Galerinë Kombëtare të Arteve.