Ati i Shenjtë Papa Francesku ka tashmë bustin e tij pranë Këmbanës së Paqes tek Piramida në Tiranë.
Këshilli Bashkiak e mori vendimin të premten e shkuar, ndërsa poshtë bustit është vënë një pjesë nga fjala e tij, gjatë vizitës në Tiranë. “Shqiponjat simbol i flamurit të atdheut tuaj, nuk e harrojnë folenë, por ngjitet lartësive fluturon lart”.
Busti u vu mbrëmë rreth orës 21:30 ndërsa në ceremoninë e sotme të pranishëm ishin Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ministrat Blendi Klosi, Mirela Kumbaro etj. “Përpara ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhami por të burgoste e vriste klerikë e besimtarë të pafajshëm’, tha kreu i Shtetit për vendin ku u vu busti.
Ndërkaq Erion Veliaj duke cituar fjalët e Papa Françeskut u bëri thirrje për kritikëve, se punët e mira, nuk bëhen vetëm duke u ankuar.
“Kemi ndërtuar e investuar në mensa sociale duke garantuar një vakt të ngrohtë për ata që nuk kanë mundësi. Punët e mira nuk bëhen vetë. Jo vetëm duke u ankuar dhe kritikuar por duke përveshur mëngët ku secili të japë kontribut. Një shoqëri e mirë s’është kur vetëm ankohen po ku secili i bën pyetje vetes cfarë mund të bëj unë për një shoqëri më të mirë?”.