Euroimages mblidhet në Tiranë për filmat

“Eurimages” (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinemanë Evropiane), zhvillon në Tiranë takimin e 142-të të Bordit Menaxhues. Kjo është hera e dytë, që “Eurimages” mblidhet në Tiranë, me ftesë të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro përshëndeti takimin e radhës në Tiranë duke theksuar mbështetjen e qeverisë shqiptare për kinematografinë, rëndësinë e artit kinematografik dhe përballjet e suksesshme të filmit shqiptar përtej kufijve, të cilat në vitet e fundit kanë marrë edhe mbështetjen financiare nga ky institucion. I pranishëm në Tiranë, drejtori i Qendrës Ekzekutive të “Eurimages” Roberto Olla dhe presidenti i Eurimages, Jobst Plog. Ata theksuan se “Eurimages” ka dhënë prova edhe për Shqipërinë, pasi ka financuar edhe filmin “Bota”, që ka qenë një sukses”. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, vlerëson faktin se tashmë edhe filmi eksperimental ka një tjetër vëmendje dhe mundësi kur flitet për fonde, që mund të përfitohen nga organizata “Eurimages”.
4 janë projektet filmike që kanë marrë mbështetjen nga Eurimages: Filmi “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, filmi “Agon” i regjisorit, Robert Budina, filmi “Bota” e regjisores Iris Elezi dhe Thomas Logoreci dhe projekti më i fundit, i cili është duke u xhiruar, “Dita zë fill” e regjisorit, Gentian Koçi.
Në takimin e radhës në Tiranë, Eurimages, me pjesëmarrjen e bashkëshortes, znj. Etleva Turkeshi, nderoi kujtimin e kineastit dhe ish-drejtorit të QKK-së, Artan Minarolli, i cili u nda nga jeta vetëm dy muaj më parë. Nderim dhe respekt për veprën e tij në artin kinematografik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *