Luela Myftari
Çarçafët e natës së parë të martesës tani kanë dalë nga përdorimi. Madje as fisheku që shoqëron pajën e nuses nuk jepet më nga babai i vajzës. Edhe pse një fenomen akoma i pranishëm në shoqërinë shqiptare, një femër e virgjër vijon të kërkohet.
Por, në fund të pranverës, të jesh e virgjër nuk është më luks. Kushton shumë pak, 20 minuta dhe 20 mijë lekë të vjetra. Stina e verës do të sjellë emigrantë shqiptarë në vendin e tyre, djem nga ata që kanë bërë një jetë që s’do ta zbulosh dot kurrë, edhe nëse bëhesh bashkëshortja e tij. Ama, ai vjen me synimin që të gjejë një vajzë të mirë, një vajzë për shtëpi, njëlloj si kanë qenë vajzat e lagjes së tij në kohën kur ai iku nga ky vend. Sepse nga viti në vit, kërkesat mbeten të njëjta, oferta po ashtu. Një jetë jashtë Shqipërisë është kusuri që merr me një qepje të thjeshtë. As ai nuk do ta marrë vesh kurrë ç’jetë ke bërë. E nëse të do të virgjër, atëherë le të të ketë “të ndershme”.
Edhe festa e beqarisë, le të zgjasë gjithë pranverës, duke nisur nga 8 marsi i shfrenuar. Nëse ai do një vajzë të tillë, atëherë le ta ketë të tillë. Kujdes djema, kushton lirë.
Kete nuk e shkrova kot, por sepse kete kohe vjet u bera pjese e nje historie te tille. Dhe imazhi i pare qe me erdhi nder mend ishte ai i nje aeroplani me emrin Virgin e qe te shpinte matane Atlantikut. Kush e di sa pasagjere kishin hipur ne ate aeroplan… Tani per tani le te udhetojme ne Sukth, një vend që ështe 20 min larg shtepise sime. Do takoja një miken time. E gjeta ulur me një vajzë tjetër, fqinjën e saj. I përshëndeta, por nuk më lanë kohë të flisja më shumë. Fqinja që nuk më njihte më pa shtrembër, ndërsa mikja ime i tha të fliste pa frikë. Unë nuk do t’ia thosha askujt. Por ajo që dëgjova më tronditi. Sigurisht që nuk kam ndër mend të denoncoj (me emër) një vajzë që me çdo kusht kërkonte të ishte sërish e virgjër, por fenomeni duket tmerrësisht banal. Ajo do të fejohej. Djali vinte nga Italia dhe paçka se ai nuk e kishte problem që ajo nuk ishte e virgjër (me sa kishte kuptuar ajo), fqinja nuk mund të rrezikonte.
Nëse i ati do të kuptonte se e kishte “shitur” vajzën për të virgjër, asaj jo vetëm do t’i mbyllej dera e shtëpisë, por edhe mund të përfundonte në ndonjë spital nga të rrahurat. Kështu ma shpjegoi kur e pyeta nëse dëshironte vërtet ta niste jetën e saj martesore me një gënjeshtër. Ishte e detyruar të gënjente babanë që e kishte “shitur” për të virgjër. “Nuk kam guxim t’ia nxij faqen tim ati”, më tha. Dhe pasi u binda që nuk kishte njeri në tokë, veç babait të saj t’ia kthente mendjen, i urova një jetë të lumtur. Iku, por u kthye pas 20 minutash. Kishte gjetur numrin e një gjinekologeje, e cila i kishte thënë se “ndershmëria” e saj kushtonte vetëm 20 minuta dhe 20 mijë lekë të vjetra. E lumtur se e kishte rregulluar të ardhmen e saj, ajo u largua, duke më lënë mua të tronditur.
Fenomeni
“Sigurisht që edhe në Tiranë ka ende vajza që kërkojnë t’u rikthehet virgjëria”, më thotë doktoreshë Moza. Më rrëfen se ajo dhe psikologja në maternitetin “Koço Glozheni” kanë pritur dhe përcjellë shumë vajza që kërkojnë të bëjnë një ndërhyrje të tillë kirurgjikale.
“Ato ikin për ta kryer këtë ndërhyrje në ndonjë nga klinikat private, të cilat edhe pse e kanë pak më shtrenjtë nuk të bezdisin për zgjedhjen as me kartela mjekësore dhe as me konsulta psikologësh që përpiqen të ndryshojnë mendjen”, rrëfen ajo duke na shpjeguar se të tilla ndërhyrje nuk do të donte asnjë mjek gjinekolog t’i bënte, por rregullatori moral ndonjëherë të detyron të realizosh edhe të tilla ndërhyrje “mashtruese” që e pranojmë apo jo ne, falin pakëz qetësi në jetën e një çifti të ri. Por ia vlen ta nisësh jetën me një gënjeshtër? “Po”, na përgjigjet doktoresha, e cila ka pritur aty edhe çifte jeta e të cilëve shpeshherë ka qenë e varur në fjalët që do të nxirrte ajo nga goja.
Kostoja
Do të çuditeni njëlloj si dhe unë, kur vajza nga Sukthi më rrëfeu se rikthimi i virgjërisë kushtonte 20 minuta dhe 20 mijë lekë të vjetra. E pyeta mjeken për të vërtetuar atë që kisha dëgjuar. Më siguroi se ndërhyrja ishte vërtet 20 minuta dhe nuk ishte aspak e rrezikshme. Bëhej me anestezi lokale dhe nuk ishte e vështirë për ta rimarrë veten. Gjithçka dukej e thjeshtë. Mjaftonte vetëm aq për të pasur “ndershmërinë” që kërkonte burri i shtëpisë. Në 20 minuta kohë çdo femër do të mund të ishte e ndershme.
Dhe kostoja nuk ishte aspak e shtrenjtë, nëse flasim këtu për nder. Por sa e vërtetë do të jetë ndershmëria që varet nga një cipë e qepur rishtazi? Sa e ndershme do të ishte partnerja që do ta niste jetën e saj bashkëshortore me një gënjeshtër? Në fund të bisedës me doktoreshë Mozën kuptoj se më mirë se në këto raste nuk do të përdorej kurrë shprehja: “Të ka plasur cipa”. Por nuk e kisha menduar kurrë që kësaj cipe shoqëria shqiptare t’i jepte aq rëndësi sa ta shtynte një femër në mashtrim. Mjekja gjithsesi e mbyll bisedën duke më thënë se këto ndërhyrje kirurgjikale janë një nevojë e patriarkalizmit për të mos u tronditur nga e vërteta.
Të ka plasur cipa
Mund të duket e çuditshme, por kjo copëz e hollë lëkure, ka qenë konsideruar gjithnjë, madje, akoma edhe sot, si shumë me rëndësi. Njerëzit mendojnë se të gjitha vajzat dhe gratë kanë një lloj himeni që shtrihet në të gjithë hapjen vaginale. Ata mendojnë se mënyra e vetme që himeni mund të “prishet”, është akti i parë seksual. Kjo nuk është e vërtetë. Shumë gra lindin pa himen. Vajzat që lindin me himen, jo të gjitha kanë himen që shtrihet në të gjithë hapjen vaginale.
Per me skeptiket mjekja gjinekologe Mimoza Keta na thote: “Jo të gjitha marrëdhëniet për herë të parë shoqërohen me hemorragji. Kjo është në varësi të femrave. Për këtë janë realizuar shumë studime, të cilat vërtetojnë tezën që 30-40 për qind e femrave gjatë kontaktit të parë seksual nuk kanë hemorragji. Ka shumë vajza që më thonë, se jam prishur me të fejuarin, pasi nuk kam pasur hemorragji në kontaktin e parë. Dhe të tjera, që thonë që bashkëshorti ua përmend gjithë jetën, duke i thënë që ‘të pranova ashtu siç ishe’.
Disa kanë himen që është vetëm një kornizë indore rreth anëve të hapjes vaginale; disa kanë himen shumë të vogël, të hollë që me zor shikohet. Po ashtu, himenet mund të tendosen dhe të çahen edhe për arsye të tjera që nuk kanë lidhje me aktin seksual. Himeni mund të çahet aksidentalisht kur shalon kuajt, kur bën spërkatën, kur rrëzohesh nga biçikleta, kur hipën në një pemë, kur vendos tamponin dhe për shumë arsye të tjera. Këto raste janë të rralla. Mungesa e himenit, jo domosdoshmërisht do të thotë se vajza ka bërë seks me një burrë; ashtu siç ka edhe disa gra që kanë bërë shumë herë interkurse seksuale dhe himeni i tyre është akoma i pa grisur”, më thotë doktoreshë Moza.
Kërkesat dhe grupmoshat
“Përpara disa vitesh, kërkesat kanë qenë edhe më të mëdha. Tani numri i këtyre kërkesave nga vajzat është ulur”, më thotë Moza Keta . “Përgjithësisht, për të tilla ndërhyrje kirurgjikale interesohen vajza të reja. Më parë, numri i tyre ka qenë shumë i vogël, por tani që mosha e kryerjes për herë të parë të aktit seksual është ulur, ka bërë që edhe mosha e atyre që e kërkojnë këtë ndërhyrje kirurgjikale të jetë më e vogël. Rrjedhimisht, kjo kërkesë nuk vjen më nga 24-vjeçaret, por nga 14, 15 apo 16-vjeçaret, më së shumti”, tregon mjekja Obstetre Gjinekologe.
Gjimnazistë konservatorë
82% e meshkujve gjimnazistë deklarojnë se do të preferonin që të martoheshin me një femër të virgjër, në një studim të kryer në Shqipëri në vitin 2007. Ndërkohë 75% e femrave kryejnë për herë të parë marrëdhënie seksuale në moshën 15 deri në 16 vjeç dhe 52% e meshkujve kryejnë për herë të parë marrëdhënie seksuale në moshën 17 deri në 18 vjeç. Vetëm 7% deklaron se ka informacion që kryhet seks edhe në ambientet e shkollës