Eseja e Arian Lekës “I lindur në provincë” është botuar edhe në Bosnjë. Është një rrëfim i ndjerë për qytetin e lindjes me gjithë ç’kishte e gjithë ç’ka humbur.
“Në këtë tekst e kam trajtuar qytetin si një krijesë antropomorfe, me lindjen, rritjen, shkëlqimin dhe prishjen e këtij formatimi”, -ka thënë Leka, poet, shkrimtar, botues e organizator i Festivalit Poeteka. “Referime të ngjashme në letërsi vijnë prej Ismail Kadaresë ndaj Gjirokastrës, të Thomas Mann-it ndaj Venecias apo Victor Hugo ndaj Parisit. Me ‘rastin Durrës’ kam paraqitur një qytet që pas shekullit XVI e humbi përkatësinë detare, duke u katandisur në një katundth, me jetë të modeluar rreth tokës”,- është shprehur autori. Sipas tij, për periudhën e komunizmit më ka interesuar thellimi në ndryshimin e strukturës.
Ai ka shënuar se nga njëra anë shohim rikthimin tek deti, pasi Durrësi u shndërrua në një port të madh në kapacitete dhe flota u fuqizua. Por ndërkaq brenda këtij “civilizimi detar”, natyror për Durrësin, u krijua një “civilizim industrial”, paralel, me rrënjët në tokë. Në një qytet si Durrësi, ku sheh dendur peshkatarë, marinarë, lundërtarë, anije, ku fëmijët dinë të lidhin grepa e të rriturit dinë të qepin rrjeta, ku ndesh njerëz që merren me kallafatim (profesioni që vesh anijet dhe varkat me dyllë, rrëshirë e bitum), befas marrin përparësi profesione të tjerë. Zejet e detit rrallohen dhe qyteti vetëkonkurron së brendshmi profilin historik detar. Sipas tij, paradoksaliasht, që në fund të viteve ‘40 hekurudha lidhi portin me brendatokën, gjë që ishte pro zhvillimit por kjo sinjalizoi profilin e ri: nga një qytet turistik do të bëhej qytet centaur, industrial e turistik njëherazi.