“Të bojkotojmë ato faqe që shesin me mish femrash”

Ardian Vehbiu*
8 marsi është dita ndërkombëtare e gruas. Për disa, dita kur gratë “festojnë”; për mua, dhe shpresoj për shumë të tjerë, dita e reflektimit për dhunën mediatike ndaj vajzës dhe gruas, në këtë katundin shqiptar edhe të kanunit edhe të konsumit.
Le ta kremtojmë, këtë vit, duke BOJKOTUAR të gjitha ato faqe online dhe jashtë linje, që i nxjerrin kliket duke shitur mish femrash lakuriqe dhe modele të prostitucionit, të objektifikimit të gruas dhe të trajtimit të saj si lodër në duart e “të fortëve.”
Të shpërfillim të gjitha ato faqe që trafikojnë me imazhe të shëmtuara femrash të shëmtuara, të manifakturuara për blerës të shëmtuar. Të gjitha ato faqe që në thelb dhe moralisht nuk dallojnë nga trafikantët e prostitutave, kodoshët e V.I.P.-ave dhe sekserët e vesit; dhe që po duan t’u mësojnë vajzave dhe grave se e vetmja punë, me të cilën gruaja sot mund ta nxjerrë bukën dhe kushedi të fitojë pavarësinë ekonomike, është të zbavitë seksualisht burrat; ose gjithnjë e më shpesh, klik-burrat.
Të BOJKOTOJMË të gjitha ato vende publike, në Internet dhe gjetiu, ku figura e femrës përçudnohet me botoks, kolagjen, silikon dhe fotoshop, për t’iu shitur pastaj si mall banaku konsumatorëve seksualisht të papjekur, të frustruar dhe të tredhur.
T’u tregojmë këtyre tregtarëve të grave karrem, se nuk do t’i lëmë të nxitin, të pandëshkuar, një model të jetuari që do ta shpërbënte krejt shoqërinë shqiptare, ose atë që ka mbetur prej saj.
Dhe t’i themi pastaj njëri-tjetrit se këto vajza dhe gra, të cilave po u nxirren në vitrinë pjesët e gjymtuara të trupit, të ndenjurat dhe gjinjtë dhe fundbarqet dhe kofshët, janë gjithmonë nënat, motrat, bijat, gratë, shoqet dhe të dashurat tona.
Të marrim vesh se objektifikimi nuk është liri e fituar rishtas prej gruas, por veç një ndërrim padroni.
Të kuptojmë se një shoqëri maskiliste që deri dje e keqtrajtonte gruan duke e mbyllur e mbuluar dhe duke e ngarkuar me dru dhe duke e shfrytëzuar si makinë për prodhimin dhe rritjen e djemve, sot, më shumë se ka ndryshuar, u është përshtatur kohëve të reja dhe sërish vazhdon ta trajtojë gruan “si shakull për me bartë” – edhe pse tashmë ky “shakull” po mbushet me iluzione dhe premtime pornografike, që sillen në ekranet nga media të vdekura urie dhe të gatshme për t’u prostituuar edhe ato për dy lekë.
Këtë 8 mars le t’i nxjerrim pra në strip-tease trafikantët e klikeve.
*Marrë nga profili në Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *