Nga Sevgi Akarcesme(Botuar edhe në New York Times)
Kontrolli virtual që tashmë ai ka mbi shumicën e gazetave dhe mediave audiovizive në Turqi me sa duket nuk mjafton për presidentin, Rexhep Tajip Erdogan. Të premten, me zellin e liderit të saj despotik, qeveria e tij konfiskoi gazetën time, “Today’s Zaman” dhe gazetën mëmë në gjuhën turke “Zaman”, gazeta me tirazhin më të madh në vend. Këto ishin dy prej shumë pak gazetave të pavarura, të mbetura në Turqi dhe “Today’s Zaman” në veçanti ishte një burim i besueshëm i lajmeve në gjuhën angleze për diplomatët, akademikët dhe emigrantët.
Të premten, një gjykatë e kontrolluar nga qeveria emëroi administratorë të besuar shtetërorë për drejtimin e gazetave, çka në fakt është thjesht një sulm i motivuar politikisht. Në mesnatë protestuesit u përballen me ujin dhe gazin lotsjellës, ndërsa njësitë speciale të policisë bastisen zyrat qëndore të gazetave në Stamboll.
Autoritetet përdorën mjete të rënda për të shqyer me forcë portën e hekurt të ndërtesës. Një ditë më pas, shërbimi i internetit në zyrat qëndrore të gazetave u ndërpre me qëllimin e vetëm për të penguar stafin e gazetës, i cili ishte në punë e sipër për botimin e një suplementi të veçantë për konfiskimin e gazetave. Dhe që nga ai moment, autoritetet kanë shkëputur serverat e gazetave, duke shkatërruar arkivën tonë dixhitale.
Disa orë pas bastisjes së gazetave, iu drejtova një polici, i cili po pinte cigare jashtë portës kryesore duke i thënë: “Duhani është i ndaluar në këtë ambient”. Dhe ai u përgjigj: “Jo më”. Përgjigja e tij është shprehje e qartë e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Turqi: një trajektore e rrezikshme drejt fundit të shtetit ligjor.
Për fat të keq më shumë se 20 gazetarë turq ndodhen prapa hekurave. E premtja e kaluar do të mbahet mend si një ditë kur liria e medias u cënua edhe më rëndë, dhe në shkelje flagrante të Kushteturës. Në nëntor, dy gazetarë të rëndësishëm turq, Xhan Dyndar dhe Erdem Gyl, redaktorët kryesorë të së përditshmes “Xhumhurijet”, u arrestuan pasi akuzoheshin se kanë ndihmuar një organizatë të armatosur terroriste dhe se kanë publikuar dokumenta që kërcënojnë sigurinë e shtetit. Ata u liruan muajin e kaluar, vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se atyre u ishin shkelur të drejtat, por ndaj tyre procesi gjyqësor vazhdon ende, dhe nëse dënohen, rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm. z. Erdogan pa vendimit u shpreh se “nuk respektonte” vendimin e gjykatës për lirimin e tyre.
Presioni ndaj gazetarëve dhe medias nuk është diçka e re. Në dhjetor të vitit 2014, autoritetet shtetërore arrestuan ish-kryeredaktorin e gazetës “Zaman”, Ekrem Dumanli, dhe veprimi në fjalë ishte në vazhdën e masave sistematike të ndërmarra ndaj kritikëve të qeverisë. Paraardhësi im, ish-kryeredaktori i “Today’s Zaman”, Bulent Kenesh, tetorin e kaluar u burgos për publikimin e disa komenteve kritike në profilin e tij në rrjetin social Twitter. Dhe unë personalisht vitin e kaluar u dënova me burgim, një dënim i cili më pas u pezullua, vetëm pse kisha reaguar ndaj përgjigjes të një tjetër personi në një nga tëeet-et e mia.
Pse kemi qenë vazhdimisht në shënjestër të presidentit? Sipas urdhrit të gjykatës, këto dy gazeta janë akuzuar për përhapjen e “propagandës terroriste” dhe mbështetjen e organizatave terroriste. Kjo akuzë tashmë është bërë e zakonshme dhe është një akuzë e përgjithshme për të goditur të gjithë kritikët e qeverisë dhe ata që mendojnë ndryshme.
Në të kaluarën, “Zaman” dhe “Today’s Zaman” kanë qenë mbështetëse të politikave pro perëndimore dhe demokratike të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, asokohe të drejtuar nga Erdogan, si dhe kanë mbështetur përpjekjet e saj për implementimin e reformave që do t’i hapnin rrugës anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian. Që në fillim dekadës së fundit, megjithatë, zoti Erdogan dhe partia e tij janë bërë gjithnjë e më autoritare.
Referojuni, për shembull, reagimit brutal të policisë ndaj protestave të vitit 2013 në “Gezi Park” në Stamboll, të cilat ishin një reagim ndaj prerjes së pemëve për ndërtimin e një qendreje tregtare. Protestat u raportuan nga të gjitha mediat ndërkombëtare dhe u pasuan nga kritika tejet të ashpra nga aleatët më të palëkundur perëndimorë të Turqisë.
Në mars të vitit 2014, zoti Erdogan, atëherë kryeministër i Turqisë (ai u zgjodh president një vit më vonë), dukej i vendosur për të shpallur një lloj tjetër të sundimit të ri – një formë, e cila synonte t’i mbyllte gojën çdo opozitari dhe opozitarizmi – duke kërkuar mbylljen e rrjeteve sociale si Facebook dhe YouTube. Ai shkoi edhe më larg, duke e quajtur rrjetin social Tëitter “një kërcënimin më të keq për shoqërinë”.
Shtypja e vërtetë e mendimit ndryshe nisi në vitin 2013, mënjeherë pas akuzave për implikimin e disa prej ministrave të kabinetit të tij në afera korruptive, të cilat më pas çuan në dorëheqjen e detyrueshme të disa prej ministrave të kabinetit të tij. Në përpjekje për të larguar vëmendjen nga akuzat për marrje rryshfeti, zoti Erdogan akuzoi kritikët e tij si të përshirë në një “strukturë paralele”, të organizuar nga kleriku dhe predikuesi turk, Fethullah Gylen dhe lëvizja e tij “Hizmet”, të cilat sipas tij, kishin si qëllim rrëzimin e qeverisë së drejtuar prej tij.
Prej kohësh ka nisur një gjueti shtrigash ndaj burokratëve, bizneseve, biznesmenëve, gazetarëve, mësuesve dhe qytetarëve të zakonshëm simpatizues të z. Gylen, i cili që nga viti 1999 jeton në Pensilvani në mërgim të vetë imponuar.