Vepra “Rashomon” e Fay & Micheal Kanin me regji të Jonida Beqos (as/Regji Armela Demaj) vihet në skenë me interpretimin e aktorëve Aleksandër Kondi, Erion Hinaj, Edvin Mustafa, Margent Caushi, Kastriot Ramollari, Redjan Mulla, Klodjana Keco, Violeta Trebicka, Rozina Kostani, Klesta Shero. Drama e shkruar në vitin 1959, është premiera e parë që do të çelë sezonin artistik në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropolit) nesër, (e enjte) datë 10. 03. 2016, salla “Shekspir, ora 20:00.
Marrëdhënia që ne kemi me të vërtetën dhe drejtësinë, raporti midis guximit dhe ndërgjegjes, këndvështrimi kritik ndaj dukjes sipërfaqësore, falja, janë këto temat që trajtohen në këtë vepër, e cila është kaq aktuale sot në Shqipëri. “Duke pasur parasysh klimën shpeshherë të ashpër të komunikimit dhe marrëdhënies me të vërtetën, apo përcaktimin se kush është burimi i saktë i të saj me të cilën përballemi çdo ditë “Rashomon” duket se ofron një mundësi të mirë për të eksploruar artistikisht këto probleme të përditshmërisë sonë”, shprehet regjisorja Jonida Beqo.
Ngjarjet zhvillohen në Kioto të Japonisë, rreth një mijë vjet më parë, vend i cili deri në shekullin VI, ishte kryeqyteti i Japonisë. Porta Rashomon ishte hyrja e madhe në qytet. Me rënien e Kiotos, Rashomon u bë një vend i frekuentuar nga hajdutë dhe kufoma të braktisura.
Shfaqja nis këtë portë, ku një prift, një druvar dhe një berber, diskutojnë mbi ngjarjen e krimit të ndodhur një ditë më parë. Nëpërmjet bashkëbisedimit, të këtyre tre personazheve jepen rrethanat dhe prezantohen tri personazhet e tjerë: një bandit, një samurai dhe gruaja e tij.
Ngjarja rrëfehet nga këndvështrimi i këtyre tre të fundit, ku secili, sipas qëllimit dhe interesit të vetë, i portretizon rrethanat dhe personat në favor të vetes.
I mbushur me ndjenjën e fajit, druvari, i tronditur i pranon priftit dhe berberit që dhe ai ka qenë dëshmitar i rastësishëm i krimit. Por varianti i tij, e vërteta pa interesa, është krejtësisht ndryshe nga të mëparshmet.
“Koncepti regjisorial i përket zhanrit të realizmit magjik, ku pavarësisht se situata mizore janë thellësisht reale, mënyra e përçimit të tyre është e stilizuar”, thotë regjisorja.
“Rashomon”, përmban tre sekuenca dyluftimesh skenike dy me shpata dhe një me shkopinj, të cilat nuk janë parë të përdoren në skenat shqiptare.
“Rashomon” do të jetë në skenën “Shekspir” të Teatrit Metropol nga nesër 10 Mars – 3 Prill, çdo të enjte, të premte, të shtunë e të diel.
Personazhet
Edvin Mustafa luan rolin e një berberi, i cili është në të 40-tave, tek i cili duken qartë shenjat e jetës së vështirë që ka bërë. Është i shkathët, i mprehtë, karizmatik dhe cinik.
Klodjana Keco interpreton rolin e gruas, një vajzë rreth të 30-tave, elegante, kurioze, e rritur në një familje të varfër, e cila ka përdorur hijeshinë për t’u martuar në familje me status më të lartë. Ajo kërkon me çdo kusht të mirën që jeta ofron, dinake, e përmbajtur në dukje por shpërthyese në rrezik, shumë e zhdërvjellët fizikisht.
Margent Caushi interpreton në rolin e Tajos. Është një bandit rreth 35 vjeç, i fuqishëm, i pacipë, krenar, i rrëmbyer, sfidues, romantik.
Violeta Trebicka interpreton në rolin e nënës, një grua rreth të 50-tave, pastruese në shtëpitë e pasanikëve, e cila nuk e pranon statusin e saj social dhe jeton në ëndrra. Është pak llafazane, e ka rritur të bijën për t’u siguruar të dyjave status më të mirë në jetë.
Redjan Mullai, interpreton rolin e burrit. Është në të 30-tat, samurai i stërvitur, rrjedh nga nje familje e pasur, konservator, adhurues i sendeve me vlerë, mendjelehtë, egoist.
Rozina Kostani interpreton në rolin e mediumes. Një figurë mistike, ku shpirtrat e vdekur flasin nëpërmjet trupit të saj.
Erjon Hinaj interpreton në rolin e një druvari rreth të 40-ve, baba i gjashtë fëmijëve, i cili për të mbajtur familjen gjallë i duhet të punojë shumë. I fuqishëm, i drejtë, i ndjeshëm.
Aleksandër Kondi, interpreton rolin e një prifti, në të 30-at. Idealist, i zhgënjyer, i ndjeshëm ndaj ngjarjeve shoqërore, kërkon të gjejë të vërtetat dhe drejtësia të shkojë në vend. Prifti beson në një mision më të madh se vetja.
Kastriot Rramollari interpreton rolin e komandantit, një burokrat oportunist.
Klesta Shero interpreton rolin e zogut, figurë mistike që asiston Mediumen.
Skenograf: Hysni Loka
Skenograf realizues: Tirana Dekor
Kostumograf: Jonida Beqo, Ina Elezi
Premiera: 10 Mars
Datat: 10, 11, 12 , 13, 17, 18, 19, 20, 24, 25, 26 27 Mars, 1, 2, 3 Prill
Ora: 20:00
Salla “Shekspir”