Ministria e Kulturës hap për të tretin vit Fondin për Përkthimin Letrar (FPL). Përvoja e dy viteve ka dëshmuar tashmë se Fondi, përveçse një ndihmesë e drejtpërdrejtë për përkthyesit dhe shtëpitë botuese, është edhe një tregues vlerësimi për përkthimet më të mira. Fondi për Përkthimin Letrar (FPL), edhe këtë vit, do të nxisë dhe mbështesë financiarisht përkthime të arrira të veprave të rëndësishme artistike të letërsisë europiane dhe asaj botërore në gjuhën shqipe.
Fondi i përkthimeve letrare i krijuar nga Ministria e Kulturës kap vlerën 2.5 milionë lekë për vitin 2016 dhe mbështet përkthime me cilësi të lartë të letërsisë së huaj.
Ministria sqaron se aplikimi duhet të bëhet nga botuesi, që është i pajisur me një liçensë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor dhe se botuesi duhet të ketë siguruar të drejtat e autorit përpara se të aplikojë ose të jetë në proces përmbyllës të sigurimit të këtyre të drejtave, proces që duhet të kryhet brenda afatit të dorëzimit të përkthimit parashikuar nga kontrata. Pas miratimit për mbështetje financiare të përkthimit, Ministria e Kulturës nënshkruan një kontratë tripalëshe me përkthyesin e kësaj vepre dhe botuesin. Financimi (i plotë ose i pjesshëm) i përkthimit të veprës do të mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe i shkon drejtpërdrejt përkthyesit.