“E dashur Donika, faleminderit për letrën tuaj. Jam i lumtur që libri do të dalë në dritë tek ju dhe, më shumë, për gjërat që më thoni. Të shpresojmë vërtet që edhe ky libër i imi, mes kaq shumë gjërash, mund të kontribuojë në zhvillimet demokratike të vendit tuaj. Për sa i përket udhëtimit tim në Shqipëri, do të më pëlqente shumë, por pjesën e parë të vitit të ardhshëm e kam shumë të ngarkuar, megjithatë do të dëgjohemi në pranverë. Faleminderit për punën tuaj dhe urimet më të mira për festat.
Umberto Eco (Milano, 19 dhjetor 1991)”
Kjo letër, është shkëputur nga ekspozita e çelur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë me botime të Umberto Ecos në gjuhën shqipe në kuadër të një takimi përkujtimor për punën e përkthyesit, filozofit e semiologut italian. Ai ia ka dërguar letrën Donika Omarit, e cila ka pasur një letërkëmbim me të ndërsa përkthente “Emri i trëndafilit”. Ajo e kish nisur përkthimin në vitet 1980 ndërsa “Emri i trëndafilit” u botua në vitin 1986.
Ekspozita ndërton retrospektivën e gjurmëve të para të përkthimeve të shkrimtarit në faqet e periodikëve shqiptarë e deri te veprat dhe romanet më të fundit. Për lexuesit shqiptarë Umberto Eco erdhi në gjuhën shqipe falë përkthimeve të Donika Omarit, Shpëtim Çuçkës, Kristina Jorgaqit, Vehbi Miftarit, Diana Kastratit, Ledia Dushit, Genci Lafes që ‘thanë shqip thuajse të njëjtën gjë’ me veprat e përkthyera të Ecos: “Emri i trëndafilit” (1996); “Struktura e papranishme: kërkim semiotik dhe metoda strukturale” (1996); “Si bëhet një punim diplome” (1997); “Si shkruaj” (2003); “Mjegullat e Valuas” (2005); “Të thuash të njëjtën gjë: Përvoja përkthimi” (2006); “Për letërsinë” (2007); “Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane” (2008); “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë” (2007); “Historia e bukurisë” (2011); “Varreza e Pragës” (2011); si dhe krijimi i tij i fundit “Numri zero” (2015).
TAKIMI
Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë (Universiteti i Tiranës) zhvilloi të enjten më 3 mars 2016, takimin “Të thuash shqip thuajse të njëjtën gjë”, kushtuar semiologut e filozofit italian Umberto Eco dhe gjurmës së fuqishme të veprës së tij letrare, teorike dhe intelektuale në kulturën shqiptare. I organizuar në formën e një forumi, nën drejtimin e Prof. Persida Asllanit, drejtore e BKSH dhe Prof.
Dhurata Shehrit, përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, si dhe me pjesëmarrjen e përkthyesve Diana Kastrati, Ledia Dushi, Fitore Beci, Eldon Gjikaj dhe dëshmisë personale të Adriana Frisenës, drejtore e Institutit Italian të Kulturës, ky takim e solli Econ në shumësinë e përmasave që karakterizuan figurën e tij. Në fjalën e saj, Persida Asllani bëri me dije një informacion të ri, duke u shprehur se “gjurma e parë e botuar Umberto Ecos në shqip vjen në vitin 1991 në një nga botimet më të rëndësishme të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në “Buletinin e Bibliotekave”, përmes përkthimit të drejtoreshës së asaj periudhe të BKSH-së, Valdete Sala.